Përderisa Bashkimi Evropian nuk po arrin të krijojë kushte për takim në nivel të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këta të dy janë ftuar që më 4 maj të vizitojnë Belrinin dhe të takohen me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Burimet kanë konfirmuar se të dy janë ftuar për vizitë, por se do të kenë takime të ndara me kancelarin gjerman.
Pritet që në takime të diskutohet për situatën në rajon, dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe situatën që është krijuar pas agresionit rus në Ukrainë.
Në të njëjtën ditë në Berlin është ftuar Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, që do të ketë takime me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atë ditë në mbrëmje.
Këtu mbetet e paqartë nëse takimet do të jenë po ashtu të ndara, apo në Berlin do të organizohet takim trepalësh.
Bashkimi Evropian ndërkohë përmes Lajçakut ka konfirmuar se kryenegociatorët në dialog nga Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të kenë takimin e radhës më datën 13 maj.
Në BE kanë thënë se s’do të ftohet takim në nivel të lartë, Kurti-Vuçiq, derisa të ketë sinjale të qarta se janë të gatshëm që të arrijnë përparim në një takim të tillë.