Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SBASHK-u përplaset me ministrin Hamza për Ligjin për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) përmes një kumtese për media ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Financave, Bedri Hamza, i cili u shpreh kundër përfitimeve të punëtorëve të arsimit në vitet e ‘90-ta, me arsyetimin se është ngarkim për buxhetin.

Kjo sindikatë pohon se e kanë ditur që Hamza do të dalë kundër këtij ligji, mirëpo, sipas tyre, jo për arsyet që po i thotë tani.

“SBASHK-u e ka dituar se ministri Hamza do të dalë kundër Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e ‘90-ta , jo për ato që po i thotë tani kudo që po i krijohet mundësia, por më shumë për arsye se SBASHK-u nuk pranoi kërkesën e tij që të ndërpritej greva njëditore e 12 marsit dhe veprimet tjera sindikale”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u shprehet i habitur me paraqitjen e dy udhëheqësve sindikalë, Blerim Syla në emër të Federatës sindikale të shëndetësisë dhe Ndue Kalaj në emër të sindikatës së administratës publike, të cilët, sipas SBASHK-ut, kanë shkuar edhe më larg kundër këtij Projektligji dhe “u kanë dërguar shkresa Qeverisë dhe Deputetëve me kërcënimin se do të ngritin padi ndaj tyre në gjykata po u bë ky Projektligj për pishtarët të dijes”.

Kjo Sindikatë thotë se është e sigurt se anëtarët e këtyre dy federatave nuk mendojnë si Syla e Kalaj sepse “ata çmojnë lartë kontributin e mësimdhënësve shqiptarë në vitet e ‘90-ta kur të përballur me furtunat dhe dhunën e pushtuesit nuk e ndalën mësimin për as edhe një ditë dhe se edhe kur dëboheshin dhunshëm nga objektet shkollore i kthenin shtëpitë në shkolla dhe punonin e lëshonin dokumentacionin me vulën dhe emërtimin Republika e Kosovës”.

Edhe SBASHK-u i reagon ministrit të Arsimit lidhur me ligjin e viteve të ’90-ta Arbëri SBASHK-u i reagon ministrit të Arsimit lidhur me ligjin e viteve të ’90-ta

“Ata që e përjetuan atë kohë të okupimit të rëndë e dinë se kush e sa u angazhua dhe fakt et dhe vetë historia flet se ishte arsimi ai që, jo vetëm i tha jo Serbisë, por edhe vazhdoi me përkushtimin dhe me punën duke mbajtur gjallë shkëndijat e dijes dhe ëndrrën për shtetësinë e Kosovës. Kjo qëndresë e punëtorëve të arsimit ka mbetur e gjallë në kujtesën e popullit dhe prandaj individët nuk mund ta mohojnë sakrificën sublime të punëtorëve të arsimit në ato vite. Kolegët Syla e Kalaj i kujtojmë se sindikatat virtyt e kanë solidaritetin dhe i gëzohen arritjeve të cilës do sindikatë”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas SBASHK-ut, Syla e Kalaj, për të fituar simpatinë e Ministrit Hamza, “janë bërë pjesë e zyrës së tij për informim dhe i janë bashkuar kundërshtimeve të tij pa as edhe një argument kundër Projektligjit për vitet e ‘90-ta”.