Arbëri

Sassel: Shpresoj në lajm të mirë për vizat deri në fund të 2022-s

“Shpresoj që viti 2022 do të jetë viti i fundit që diskutojmë kaq shumë, dhe shpresoj që në fund të vitit të gjithë do ta marrin lajmin e mirë. Belgjika nuk është kundër liberalizimit të vizave. Duhet t’i marrim parasysh edhe gjërat që shkojnë përtej vetëm çështjes së Kosovës, sepse nuk duam ta thyejmë unanimitetin në nivelin evropian. Por, mendoj se kur kriteret përmbushen, duhet të ecim përpara”, ka thënë diplomati Sassel

Shefi i Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë, Julien Sassel, ka shprehur dëshirën të premten që tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të përmbyllet gjatë këtij viti. Ai ka theksuar se Belgjika nuk është kundër liberalizimit të vizave për kosovarët, porse ruan kujdesin për njëzëshmërinë e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, përmbushja e kritereve nënkupton se duhet ecur përpara.

“Shpresoj që viti 2022 do të jetë viti i fundit që diskutojmë kaq shumë, dhe shpresoj që në fund të vitit të gjithë do ta marrin lajmin e mirë. Belgjika nuk është kundër liberalizimit të vizave. Duhet t’i marrim parasysh edhe gjërat që shkojnë përtej vetëm çështjes së Kosovës, sepse nuk duam ta thyejmë unanimitetin në nivelin evropian. Por, mendoj se kur kriteret përmbushen, duhet të ecim përpara”, ka thënë Sassel.

Diplomati Sassel i ka shprehur qëndrimet gjatë vizitës në Prizren, ku ka takuar kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj.

Pas takimit ka shpjeguar se në Kosovë ka qëndruar edhe në vitin 2015, dhe se tema e liberalizimit të vizave ka qenë aktuale edhe atëherë, si një çështje e rëndësishme për qytetarët, e që edhe pas 7 vjetësh nuk ka marrë një epilog pozitiv.

Edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se një nga çështjet e diskutuara ishin vizat, porse fokusi ka qenë te bashkëpunimi në sfera të ndryshme, veçanërisht në kulturë.

“Biseduam edhe për temat e krijimit të një bashkëpunimi në formën e javës së Belgjikës në qytetin e Prizrenit, ku këta mund të prezantojnë kulturën e tyre, gjuhën, filmat e tyre e kështu me radhë, edhe natyrisht për temat tjera që ndërlidhen me mundësitë e udhëtimit të qytetarëve të Kosovës në Evropë”, ka deklaruar Totaj.

Këtë javë, duke u thirrur në burimet diplomatike në Bashkimin Evropian, KOHA ka raportuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është një çështje që do të diskutohet në nivelin më të lartë gjatë takimit të ardhshëm të liderëve të bllokut, dhe se kjo jep shenja për optimizëm se mund të ndodhë liberalizimi i shpejtë i regjimit të vizave për kosovarët.

Për më shumë se tre vjet, thirrjet e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave nuk kanë pasur ndonjë efekt te vendet anëtare të bllokut. As konfirmimi i vazhdueshëm nga ana e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, si dhe rekomandimi për liberalizimin e vizave nuk e kanë lëkundur Këshillin e BE-së, ku edhe ka ngecur çështja.