Arbëri

Salihu: Vendimi i Kushtetueses shpërfaqi moskoordinimin ndërinstitucional, Qeveria Hoti ishte e paqëndrueshme

Bekim Salihu, drejtues i lartë në institutin GAP, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti dhe dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme, nuk i ka shokuar partitë në vend.

Sipas tij, partitë tashmë ishin të vetëdijshme se paqëndrueshmëria e koalicionit qeverisës po çonte vendin drejt zgjedhjeve.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të interpretohet në dy elemente. E para me faktin që Qeveria Hoti është fare e paqëndrueshme, dhe shpallja e zgjedhjeve në këtë periudhë ndonëse s’ishte vendim i pritur, por nuk i ka shokuar aq shumë partitë. Vendimi ka mundur edhe t’i befasojë sepse s’ishte e pritshëm që vendi të shkojë në zgjedhje me vendim të Kushtetueses, por ishte e pritshme që vendi të shkonte në zgjedhje për shkak të lëkundjes së koalicionit. Po ashtu, LDK-ja, që ishte bartëse e koalicionit, s’arrinte të mbante një tryezë për unifikim të qëndrimit për president. S’mund të mbante asnjë tryezë e lëre më të nxirrte një emër. Ky zhvillim politik konsideroj se ka bërë që zgjedhjet tani të shihen si opsion i shpejtë, ndonëse prapëseprapë shihej si opsion në horizont. Elementi i dytë ka të bëjë me faktin që Kushtetuesja e ka vendosur një standard që nuk do të lejojë më tutje që pjesë e Kuvendit të jenë persona me të kaluar që kanë rënë ndesh me ligjin”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Salihu ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka shpërfaqur mungesën e seriozitetit dhe koordinimit ndërinstitucional.

“Ka interpretime të ndryshme dhe partitë mundohen t’i japin kahe të ndryshme. Mendoj se duhet pritet definimin e plotë të Kushtetueses rreth kësaj çështje. Shikuar në prizmin e tanishëm është e qartë se personat dënohen me vendim të plotfuqishëm në shkallën e dytë nuk mund të futen në listat zgjedhore dhe mendoj se është standard i pranueshëm dhe duhet të respektohet nga partitë politike. Vendimi i Gjykatës ka shpërfaqur një mungesë të seriozitetit, bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në lidhje me pastrimin e listave zgjedhore”, ka thënë Salihu.

Ai ka shtuar se një vendim i Gjykatës Supreme ia ka pamundësuar KQZ-së të përjashtojë nga lista personat të cilët potencialisht kanë probleme me ligjin.

“Dhe Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka konstatuar se vendimi i Gjykatës Supreme është i jashtëligjshëm, dhe ky vendim do të thotë ka prodhuar pasoja të një pas njëshme duke çuar ato pasoja edhe në KQZ e edhe në Këshillin Gjyqësor dhe në Kuvend. Konsideroj se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një pasojë juridike te rasti i deputetit Arifi për faktin se Qeveria Hoti kishte pasur 61 vota. Pasi sikur Qeveria Hoti të kishte 62 vota atëherë vetëm deputetit do t’i humbte mandati”, ka thënë Salihu.