Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihu: Nga 904 premtime, kryetarët e komunave përmbushën vetëm 95

Nga 904 premtime të dhëna nga kryetarët e 26 komunave në Kosovë, vetëm rreth 10 për qind të tyre janë realizuar në vitin e parë të mandatit.

Sipas Bekim Salihut, hulumtues i lartë në Institutin GAP, kryetarët e komunave në Kosovë kanë përmbushur më shumë premtime në fushën e infrastrukturës, bujqësi dhe administratë, ndërsa kanë lënë me probleme fushën e ekonomisë, shëndetësisë dhe urbanizmin.

Sa i përket shifrave të premtimeve ai ka thënë se 95 premtime janë përmbushur, 301 kanë nisur të përmbushen, 54 janë pjesërisht të përmbushura me mbi 50 për qind të aktivitetit, planit apo investimit, ndërsa në pjesën e mbetur s’ka nisma për përmbushje të premtimeve.

Në Express Intervistën në KTV, Salihu ka thënë se komunat menaxhojnë me 470 milionë euro për një vit, apo për një mandat katërvjeçar, rreth dy miliardë euro. Megjithatë, sipas tij, ngarkesa me të punësuar bën që të mos ketë investime të mëdha, pasi 55 për qind e totalit shkon për paga.

“280 milionë euro shkojnë për paga. 55 për qind të totalit shkon për paga dhe ne konsiderojmë se komunat, përkatësisht udhëheqësit komunalë, ishin të pakujdesshëm në punësimet që kanë bërë. E kanë ngarkuar buxhetin publik, që duhej të alokohej në investime komunale. 45 për qindëshi i mbetur nuk shkon në investime. Ka pesë kategori, nga mallrat dhe shërbimet, shpenzimet tjera komunale e kështu me radhë. Kanë shuma të vogla për investime komunale për shkak të ngarkimit që i bëjnë buxhetit me paga”, ka thënë ai.

Salihu ka thënë më tej se niveli lokal, megjithatë është më transparent se ai qendror, sa i përket shpenzimeve të parasë publike.

Instituti GAP sot publikoi dinamikën e realizimit të premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët aktualë të komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit të shkuar. Në këtë publikim janë përfshirë 26 komuna nga 38, pasi sipas Salihut, fushata zgjedhore s’është unike në gjithë territorin. Këtu ka përmendur veriun ku s’mbahet fushatë, por edhe Skenderajn ku kryetari fitues nuk ka pasur premtime.

Artikuj të ngjashëm