Gazetari Naim Sadiku ka thënë se dihet krejt praktika se si dikush që nuk ka qenë e ka marrë statusin e veteranit të UÇK.
Në “Konfront” u diskutua për çështjen “Veteranët” pas aktgjykimit dënues të Themelores të hënën.
“Ne kemi jetuar në Kosovë, e dimë praktikën se si dikush që nuk ka qenë si ka ardhur te statusi i veteranit të luftës, pa paragjykuar... me 2-3 mijë euro ke mundur të bëhesh veteran i UÇK-së – s’ka rëndësi a ke qenë me armë në dorë apo bakall. Dikush ia ka mundësu këtë me bë. Përfituesi është ai që i ka marrë paret”, ka thënë Sadiku.
Rudari: E pahijshme që Apeli ia la një gjyqtari serb çështjen e veteranëve kur u kthye në rigjykim
Avokati Naim Rudari ka thënë se ka qenë e pahijshme që Gjykata e Apelit ia kishte lënë një gjyqtari serb çështjen e veteranëve pas vendimit të vitit 2021 të Gjykatës Themelore që i liroi të gjithë të akuzuarit.
Rudari ka thënë se Apeli në mënyrë skandaloze kishte vendosur ta kthente çështjen në rigjykim. Në kolegjin e Apelit ishin tre gjyqtarë.
“Kjo çështje është gjykuar edhe një herë. Në vitin 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë vendim absolutisht të drejtë kur kishte liruar të gjithë sepse nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale. Ka qenë jashtëzakonisht e pahijshme kur Apeli ia ka lënë një gjyqtari serb që ta trajtojë këtë çështje si kryetar i kolegjit dhe ta kthejë në rigjykim. Apeli ka vlerësuar se në procesin e rigjykimit, në mënyrë skandaloze, të vendoset kush ishte përgjegjës për plotësimet e aplikacionit. Ka thënë të nxirren përgjegjës të tjerë, jo këta që kanë qenë të akuzuar”, ka thënë ai në “Konfront”.
Avokati u shpreh i bindur se të dënuarit në rastin “Veteranët” nuk janë aspak përgjegjës dhe se Prokuroria nuk ka ditur ta hetojë çështjen.
“Nuk them asnjëherë që nuk ka veteranë që nuk e meriton statusin, por Prokuroria nuk e ka pasur të qartë se si ta hetojë këtë çështje. Komisioni qeveritar prej 12 anëtarëve nuk ka qenë aspak përgjegjës për këtë siç pretendon Prokuroria dhe tani siç ka vendosur gjykata”, shtoi ai.
Rudari: Prokuroria mendon se roja, kuzhinieri e mjeku në luftë s'bën të jenë veteranë
Avokati Naim Rudari, ka thënë se Prokuroria mendon që ata që kanë shërbyer në luftë si roje, kuzhinier apo mjekë, nuk duhet ta kenë statusin e veteranit.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV ka thënë se Komisioni qeveritar për verifikimin e veteranëve i ka kaluar të gjitha aplikacionet që kanë qenë të kompletuara.
Sipas tij në Gjykata dhe Prokuroria nuk e kanë gjetur asnjë aplikacion të vetëm që nuk ka qenë formalisht në rregull, por i kanë ndarë ato bazuar në kategori.
“Nuk i kanë dalluar së paku 10 aplikacione që formalisht nuk janë në rregull, por e ka thënë me kategori, i mituri nuk është dashur të jetë në luftë. Prokuroria akoma mendon që ai që ka qenë roje në luftë nuk është dashur ta ketë statusin e veteranit, ai që ka qenë në kuzhinë në asnjë formë nuk duhet ta ketë statusin e veteranit, edhe ata që kanë qenë në mjekësi nhuk duhet ta kenë statusin e veteranit, e nuk e di Prokuroria se cilindo veprim që është dashur ta bësh në luftë, paraprakisht është dashur të jetë i verifikuar dhe i regjistruar si ushtar dhe më pas seleksionohesh në kuzhinë, logjistikë e në batalion të mjekësisë ata që kanë qenë të përgatitur profesionalisht”, ka deklaruar Rudari.
Kabashi: Sipas audioincizimeve, Çeku pranon se s’po di çka po bëhet me listën e veteranëve

Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), monitorues i proceseve gjyqësore, ka thënë se sipas audioincizimeve, Agim Çeku, njëri nga 12 personat që ishin pjesë e komisionit qeveritar për miratimin e listave për veteranët, e pranon haptazi se nuk e dinë se çka po ndodh me to.
Kabashi theksoi se audioincizimet e siguruara gjatë procesit përmbajnë deklarata komprometuese nga Agim Çeku.
“Në audioincizime, Çeku e pranon se në një farë forme janë duke e shkelur ligjin, duke miratuar lista që nuk e dinë as vetë se çka përmbajnë. Çeku e pranon në audioincizime që ne jemi duke miratuar diçka që nuk e dimë as vetë çka. Kjo e bën çështjen penalisht të dënueshme për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë ai, duke shtuar se përgjegjësia penale lidhet me dijeninë e tejkalimit të autorizimeve, të cilën sipas tij e vërtetojnë edhe vetë incizimet.
Kabashi ka akuzuar Gjykatën se e ka zvarritur tejmase rastin e veteranëve.
“21 seanca, 15 kanë qenë efektive. Procesi ka kaluar gjashtë vjet e shtatë muaj dhe tek tash i kemi 10 që janë shpallur fajtorë, por procesi ende s’ka epilog. Dua ta kritikoj gjykatën sepse duhet t’i japë epilog këtij rasti. S’kemi vendim të plotfuqishëm që kur u ngrit aktakuza në dhjetor të vitit 2018”, shtoi ai.
Salihu: Mes veteranëve që pretendohet se janë të rrejshëm ka që gjykata i ka shpallur të vërtetë
Avokati në rastin “Veteranët”, Afrim Salihu, ka thënë se në listën prej mbi 19 mijë veteranëve që Prokuroria pretendon se janë të rrejshëm, ka persona që me vendime të formës së prerë të gjykatave janë shpallur veteranë të vërtetë.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV ka thënë se njëri nga të akuzuarit në seancën e kaluar, ka paraqitur para trupit gjykues disa aktgjykime të Gjykatës Themelore në Gjilan, me të cilat veteranë që janë në listën e Prokurorisë janë shpallur të vërtetë.
“Trupi gjykues, para se të japë vendimin final na ka lejuar edhe njëherë, na e ka mundësuar që çdokush që paraqet prova materiale që shkojnë në favor të klientëve të tyre t’i paraqesin. Njëri nga ta ka qenë i akuzuari Ahmet Daku, i cili i ka sjellë disa aktgjykime të formës së prerë, të cilat është vërtetuar se Gjykata Themelore në Gjilan i ka liruar nga akuza, e ata persona janë përfshirë në mesin e 19 mijë aplikantëve për të cilët Prokuroria ka pretenduar se janë veteranë të rrejshëm, ndërsa gjykata ka vërtetuar se nuk janë të rrejshëm”, ka theksuar Salihu.