Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihu: Kërkesa për krijimin e policisë së kryeqytetit shkon deri në nivel të injorancës

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se kërkesa se duhet urgjent të themelohet policia e kryeqytetit “shkon deri në nivel të injorancës”.

Pas përleshjes në lokalin “Bon Vivant” që çoi në vrasjen e një personi, plagosjen e lëndimeve të disa personave, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kanë thënë se krijimi i policisë së kryeqytetit është urgjente.

E, Salihu ka renditur tri arsye pse kjo kërkesë është problematike:

  • E para: rasti i mbrëmshëm nuk ka ndodhur për mungesë të policisë dhe mekanizmave të duhur, por për shkak edhe të mos funksionimit të këtyre mekanizmave.
  • E dyta: policia e kryeqytetit është menduar dhe është inkorporuar në Ligjin për Prishtinën, për t'i asistuar komunës në çështje komunale, jo për siguri nacionale.
  • E treta: Si anëtar i grupit punues për hartimin e Ligjit për Prishtinën, pajtimi unanim i grupit ka qenë që policia e kryeqytetit duhet të merret me çështje të ndërtimeve, uzurpimeve, inspektimeve, komunikacionit dhe rendit komunal.

Salihu ka shtuar se dilema ka qenë dhe mbetet se a do të duhet kjo polici të ketë armë, automjete të njëjta me policinë e rregullt dhe a do të mund të ketë mundësi të arrestoj dikë.

“Këto dilema ekzistojnë, ngase ideja ka qenë, dhe është, jo të krijohet një polici tjetër, por të krijohet një njësi që i asiston komunës e komuna nuk ka të drejt të arrestoj persona dhe as të ushtroj kompetenca ekzekutive të sigurisë”.