Një rrëfim absurdi: sfidat e nevojës për të bërë qeveri të re dhe të demonstrohet kundër saj.
1.
Më thirri një shok i vjetër nga Norvegjia, i shkuar atje ka 30 vjet. Biseduam për mënyrën se si po e kalojmë krizën COVID-19 dhe ai më tha me sensin e humorit që e mori me vete nga këtu dhe e tëholloi atë edhe më shumë me ftohtësinë skandinave se jeta atje nuk ka ndryshuar shumë me distancim social, “vetëm se distancimi social është zgjatur edhe për nja 30 centimetra”.
Qe ilustrim i mirë për mënyrën se si do ta analizojmë jetën tonë të përditshme ndoshta deri në fund të vitit 2021. Do ta matim distancën mes nesh prej momentit kur dalim prej shtëpisë. Duhet të dimë saktësisht se sa larg duhet të ecim prej njëri-tjetrit , sa larg mund të jemi larg njëri-tjetrit kur të bëjmë ushtrime a të vrapojmë, sa larg duhet të jenë bankat shkollore njëra prej tjetrës, sa larg tavolinat e kafeneve dhe të restoranteve kur të hapen, sa larg mund të jetë tavolina e një rrobaqepësi prej tavolinës së rrobaqepësit tjetër në dyqan a fabrikë, sa duhet të jetë larg tavolina e punës e njërit punëtor administrate prej tjetrit, sa larg mund t’i vendosin prej njëri-tjetrit tullat në të njëjtin mur dy punëtorë ndërtimi... Lista është e gjatë dhe vazhdon me si do të ulen njerëzit në autobus e aeroplanë, në teatër e në stadium, nëse do të ketë shfaqje e ndeshje gjatë këtij viti...
Janë çështje praktike që përfshijnë çdo pjesë të jetës sonë sociale, ndaj edhe qe e kuptueshme kur në disa prej ministrive të turizmit, përfshirë edhe atë të Shqipërisë, që tani ka filluar të mendohet se si të krijohen distancat në plazh, kurdo që të jetë i mundur sezoni i pushimeve (dorën në zemër, ide jo e keqe edhe pa pandemi).
2.
Çështja nuk është, pra, a duhet të kemi distancë mes nesh, por sa duhet të jetë ajo.
Dhe, bashkëngjitur me të, çështja nuk do të jetë vetëm sa larg jemi prej njëri-tjetrit në kuptimin e distancës së matshme fizike, por sa larg do të jemi në numrin e ndërveprimeve, të takimeve. Siç shkruan “The New York Times”, një ekip epidemiologësh të Georgia State University të prirë nga dr. Gerardo Chowell vlerësoi se për ta mbajtur nivelin e infeksioneve në masë të menaxhueshme çdonjëri prej nesh do të duhej të zvogëlonte kontaktet e veta sociale për 65 për qind. Pra, sa më pak kontakt jashtë familjes dhe obligimeve të strikta të punës (mësimit) e furnizimit; diçka që përjetohet sot, por me leje për të vazhduar punën/shkollën.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.