Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rukiqi: Ky vit do të jetë shumë më sfidues se ai parapraku për ekonominë e Kosovës

Në aspektin ekonomik, ky vit do të jetë shumë më sfidues se 2021-shi, ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë (OEK), Berat Rukiqi.

Ai deklaroi se verën e sivjetme s’do të ketë “infuzion” nga diaspora, me ç’rast konsumi do të shënojë rritje, e norma e rritjes ekonomike do të bie.

“Ky dimër do të jetë më ‘i gjatë’ se të tjerët, marrë parasysh problemet me furnizimin dhe çmimet e energjisë elektrike, dhe çmimet e rritura në pothuajse të gjitha lëndët e para dhe produktet finale, nga kategoritë e produkteve që ne i importojmë”, shkroi Rukiqi në Facebook.

Paparashikueshmëria me pandeminë, sipas kreut të OEK-ut, do të vazhdojë të sjellë kokëçarje për sektorin privat. Sipas tij, ky sektor s’po arrin ta kuptojë cila është vlera e vaksinimit me dy dhe tri doza të vaksinës.

“Çdo masë për kontrollimin e pandemisë, duhet t’i kufizojë te pavaksinuarit e jo ata që me shumë zell e respëktuan thirrjen për vaksinim. Do të rritet problemi me fuqinë punëtore. Mosgjetja e punëtorëve me shkathtësi të caktuara është si problem në rritje për të gjithë sektorët. Nëse kjo problematikë vazhdon, ne do të kemi probleme serioze me aftësinë konkurruese për eksport dhe investime”, thuhet tutje në statusin e tij.

Ai u ka bërë thirrje Qeverisë, Parlamentit dhe të gjitha institucioneve që të jenë të hapura për dialog me sektorin privat.