Arbëri

Rukiqi: E papranueshme ndërhyrja me polici në ndërmarrje private

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se ndërhyrja me polici, në një ndërmarrje private, tregon shumë për klimën e investimeve të huaja në Kosovë.

Ai ka thënë se ndërmarrja në fjalë dhe investitorët duhet të kenë mundësinë e mbrojtjes së investimit dhe pronës ku kanë investuar

“Ndërhyrjet arbitrare me polici, pa u shtjerr të gjitha mekanizmat kushtetues dhe ligjor, janë të papranueshme dhe mund të shërbejnë si precedent jashtëzakonisht negativ, për të ardhmen. Këto veprime duhet të ndalen”, ka shkruar ai.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, e shoqëruar nga Policia e Kosovës kanë shkuar në zyrat e Ndërmarrjes “Agrokosova Holding”, apo ish-ndërmarrja shoqërore “NBI Suhareka”.

Kurse nga ndërmarrja Agrokosova Holding kanë kundërshtuar ta lirojnë objektin.

Dy palët kanë pasur përplasje me fjalë.

Në këtë takim ka qenë të pranishëm edhe një numër i madh pjesëtarë të Policisë së Kosovës.