Pika turistike e Rugovës, e gjendur 93 km larg qytetit të Prishtinës, në Kosovë në këto ditë të nxehta vere frekuentohet nga vizitorë të shumtë.
E ndodhur në veri-perëndim të qytetit të Pejës Rugova është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare, shkruan TRT.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE shpallur në vitin 2013 Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kjo pikë turistike vizitohet nga turistë të shumtë vendas e të huaj.
Rugova është vend i përshtatshëm për alpinizëm, bjeshktari, ski, ngjitje në shkëmbinj, hedhje me parashutë, piknikë me familje etj. Një rrugë piktoreske, e cila edhe pse e ngushtë është e asfaltuar, të çon në qendrën e skijimit e të pushimit veror në Bogë, e cila ndodhet në lartësinë prej 1400 metrash.
Duke ecur rrugës, ndeshesh me shumë makina që i drejtohen kësaj pike turistike, ndërsa mbetesh e mahnitur nga bukuria e pishave dhe ajri i pastër dhe i freskët. Në të dy anët e rrugës pa shkuar në fshatin Bogë, që është rreth 29 kilometra nga qyteti i Pejës, shikon restorante të shumtë, ku qytetarë drejtohen për të kaluar disa orë larg temperaturave të larta të kësaj vere.
Të bien në sy edhe makina të ndaluara anës rrugës, ku njerëzit mund të peshkojnë në lumin Lumbardha, në Grykën e Pejës, që gjarpëron ndërmjet majave më të larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Një hotel i madh i ndërtuar buzë rrugës që të çon në Bogë, dallon mes të tjerëve për nga arkitektura dhe ambienti i jashtëm i mbushur me gjelbërim, por që duket se ende nuk është hapur për turistët. Pasi mbërrin në fshatin piktoresk të zë syri një sërë shtëpi banimi dhe hotele, të ndërtuara kryesisht prej druri.
Një pjesë e shtëpive jepen me qera për turistët, ndërsa në të tjerat banojnë vetë njerëzit që jetojnë në këtë fshat gjatë gjithë vitit. Fshati është i rrethuar nga të katër anët me kodra të larta të mbushura me pisha, ndërsa pranë tij ka livadhe të shumta, ku kullosin bagëtitë e banorëve të fshatit.
Një nga punëtorët e hotel “Luanit”, ku qëndruam na tregon se në sezonin e dimrit punon edhe teleferiku për t’u ngjitur në kodër skiatorët, por edhe turistët e apasionuar pas skiimit. Pranë hotelit të bien në sy edhe makinat e borës, që janë një tjetër mënyrë argëtimi kur reshjet e borës e zbardhin të gjithë Bogën.
Kur bie mbrëmja, shikon zjarret e zgarave që ndizen jashtë shtëpive të drurit, ku njerëzit fillojnë përgatisin ushqimet e tyre të preferuara dhe qëndrojnë deri në orët e vona jashtë edhe pse temperaturat në orët e mbrëmjes janë të freskëta.
Në restorant “Vila Rudi”, nuk mungon ushqimi tradicional, ku bie në sy flija, mishi i pjekur i qengjit, kecit, maza e zier, apo buka e misrit, djathi i dhisë etj, të cilat janë gatuar nga amvisat e kësaj zone. Në mëngjes bëmë edhe një shëtitje në livadhet e këtij fshati piktoresk dhe më pas u larguam nga Boga me dëshirën për t’u kthyer sërish herën tjetër, por duke marrë edhe miq të tjerë me vete, pasi kaluam një fundjavë të bukur mes klimës së pastër, shëtitjeve dhe ushqimit të mirë, që të ofronte kjo pikë turistike.
Pika turistike e Rugovës
Rugova është trevë malore në Veri-Perëndim të qytetit të Pejës, në Kosovë. Është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ajo është rrethinë etnografike, me rëndësi të madhe për degët e gjuhësisë si leksikologjia, etimologjia dhe onomastika . Rugova është e përshtatshme për alpinizëm, bjeshkatari, skitari, ngjitje në shkëmbinj, lëshim me parashuta, piknikë me familje etj. Rugova radhitet si qendra e katërt kryesore për sporte dimërore nga Federata Ndërkombëtare e Siktarisë (FIS) me qendrën në Lucernë. Për më tepër, në prill të vitit 2013, Peja fitoi çmimin “Tourism for Tomorrow” me projektin “majat e Ballkanit”.
Rugova është e pasur me forma të shumta si shpellat, ujëvarat, liqenet glaciale, majat e larta, tunelet etj. maja më e lartë është Hajla (2403 m) por rëndësi dhe interes paraqet edhe Qafa e Qyqes nga e cila mund të soditet i gjithë qyteti i Pejës. Nga Guri i Kuq (1522 m) shihen si në pëllëmbë të dorës: Gjeravica, trekufiri Boriqe, maja e Mariashit,maja e Hekurave, Shkëlzeni dhe Liqeni i Plavës. Volujaku është po ashtu një majë e lartë (2014 m).
Në kilometrin e katërt gjendet “Rruga e Hekurt” e vetmja në Ballkan. Rugova përfshin një territor me sipërfaqe prej 20330 ha. Ka shtrirje Lindja-Perëndim me gjatësi prej 23 km. Gjendet në mes të maleve Hajla, Shtedim, Lumbardh dhe Kopranik. Lumi Lumbardh e ndan në dy pjesë duke krijuar luginë e më pas gjatë rrjedhës kanionin e thellë.
Bimësia e rajonit të Rugovës është e pranishme si në Europën Qendrore në lartësitë e mëdha,por edhe bimë që janë karakteristike për Ballkanin dhe vetëm për këtë rajon. Në Rugovë dallojmë 4 zona bimore(ahu, dushku, breu dhe kullota alpine).
