Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rugova: Liria e shprehjes, nën hijen e autoriteteve

Profesori universitar, Bardh Rugova, tha se në ditët e sotme ekziston një frymë ku liria e shprehjes është nën hijen e autoriteteve të caktuara, derisa shtoi se kjo ka ekzistuar në çdo periudhë historike.

Ai tha në Konfrontin e KTV-së të mërkurën se në familjet shqiptarë autoritet vazhdon të jetë prindi, gjyshi, polici dhe të tjerë, që individit, sipas Rugovës, ia pamundësojnë dhënien e mendimit.

“Ende vazhdon një frymë e tillë ku liria e të shprehurit është nën hijen e autoritetet. Është baba autoriteti, gjyshi, mësuesi, axha polic dhe gjithë. Ka dikush autoritet që duhet t’i nënshtrohem...Ajo që ne mendojmë është më pak e rëndësishme sesa autoriteti. Derisa vazhdon të ketë autoritet më të rëndësishëm se mendimi ynë krijohet kjo situatë ku mendimi i lirë nuk është bash i lirë”, deklaroi ai.

Sipas profesorit, janë dy probleme kyç të çështjes së dhënies së mendimit. Ai tha se reagimi radikal ndaj dikujt që shprehet dhe vetëcenzurimi i folësit janë problematike në një shoqëri të lirë.

Ndërsa, historiani Durim Abdullahu, tha që nga shekulli i 19-të me Revolucionin Industrial është krijuar kultura e komunikimit publik, që ua ka mundësuar shtresave shoqërore fjalën e lirë.

“Në çdo shoqëri demokratike ka shtresa që stivohen mbi njëra-tjetrën. Flet politika, bashkësitë fetare dhe janë një forum i diskutimit për shkak të kësaj tradite të vonshme”, shtoi ai.

Analisti Agim Sopi u shpreh se dhënia e mendimit dhe fjala është autoriteti i parë në jetën e çdo njeriut, që duhet t’i mundësohet secilit individ.

Ai tha se fjala e lirë te shqiptarët buron nga një përvojë e trashëguar nga shekulli i 20-të, që sipas tij, ishte parashenjë e shoqërive totalitare.

Artikuj të ngjashëm