Në raportin financiar që Radiotelevizioni Publik i Kosovës e ka prezantuar në Komisionin parlamentar me shpenzime të mëdha, tejkaloi buxhetin e planifikuar për vitin 2019. Kryetari i Komisionit, Hekuran Murati, pati kritika të shumta për menaxhimin e buxhetit nga RTK-ja
Para Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Transfere, Radiotelevizioni Publik i Kosovës ka prezantuar raportin financiar për vitin 2019.
Sipas këtij raporti, RTK-ja ka shpenzuar shuma të mëdha në program, emisione, paga e shërbime të tjera. Për mallra dhe shërbime, RTK-ja ka shpenzuar 101 për qind të buxhetit, duke tejkaluar kësisoj për rreth 50 mijë euro planifikimet e parapara. Gjatë vitit të kaluar, RTK-ja i ka shpenzuar rreth 220 mijë euro për të blerë kompjuterë dhe ka paguar internet për një shumë prej rreth 10 mijë eurosh në muaj. Për shpenzime të udhëtimeve zyrtare, mëditje dhe transportit jashtë vendit, Televizioni Publik ka paguar afro 110 mijë euro. Shuma të mëdha, RTK-ja ka shpenzuar në disa emisione televizive. Vetëm për emisionin “I Star” janë paguar plot 216 mijë euro. Ndonëse nga RTK-ja thanë se shpenzimi i buxhetit është menaxhuar mirë, kryetari i Komisionit, Hekuran Murati, pati kritika të shumta.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, tha se ka pasur përpjekje për menaxhimin e buxhetit në mënyrë të kujdesshme dhe se beson që kjo është arritur.
“Jemi munduar në mënyrën më të mirë të mundshme prej ditës që e kam marrë mandatin me menaxhu me paranë publike. Sigurisht që gjithmonë ka hapësirë për kritika, por personalisht jam munduar dhe kam premtuar dhe mendoj që do ta stabilizojmë gjendjen financiare”, ka thënë Kastrati.
Përveç kryetarit të Komisionit, Hekuran Murati, që i quajti skandaloze shpenzimet, anëtarët e tjerë që ishin prezentë u pajtuan se RTK-ja e ka menaxhuar mirë buxhetin që i është ndarë nga Kuvendi.
“Të gjitha këto tregojnë për një menaxhim skandal financiar të kësaj organizate. Unë nuk di se si mund të quhet raporti apo menaxhimi perfekt apo i mirë. Është paradoks se nëse thoni që është dashur të rriten shpenzimet te personeli, RTK-ja vazhdon të blejë emisione nga jashtë. Nëse i keni mbi 800 punëtorë të angazhuar dhe vazhdoni të blini emisione atëherë kjo është paradoks”, ka deklaruar Murati.
Raporti financiar i shqyrtuar i RTK-së nuk arriti të votohet në Komision për shkak të mungesës së kuorumit.
Në Komisionin për Buxhet dhe Financa është miratuar kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021. Gjatë arsyetimit të kësaj kërkese, drejtori ekzekutiv i Trustit, Adrian Zalli, tha se taksa menaxhuese për vitin e ardhshëm do të jetë 0.32 për qind, që pritet të ketë ndikim 250 mijë euro më lirë se për vitin 2020.
Komisioni ka miratuar edhe raportin vjetor financiar të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2019, ndërsa nuk ka arritur ta miratojë në parim projektbuxhetin për vitin 2021.