Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrustemi: Policia e ushtria serbe kurrë më, në asnjë cep të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ka thënë se policia dhe ushtria serbe nuk mund të jenë më në asnjë cep të Kosovës.

Rrustemi ka thënë të premten në “Java Sonte me Rronin” në KTV se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e vendosur për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial.

“Ka marrë fund, asnjëherë ushtria dhe policia serbe nuk do të jetë në asnjë cep të Kosovës. Është përkushtim, vendosmëri e jona institucionale, të cilën asnjëherë nuk duhet ta diskutojmë. Deklarimet e Serbisë për kthimin e ushtrisë, janë deklarim i agresionit. Kosova është e vendosur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial”, ka thënë Rrustemi.

Në lidhje me deklaratën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, për formimin e Asociacionit, Rrustemi ka thënë se beteja politike e Kosovës me Serbinë është edhe betejë për t’i ruajtur dhe shtuar aleatët.

Sipas tij, më lehtë do të ishte që të mos nënshkruhej fare marrëveshja për Asociacionin sesa të zhbëhet tani.

Ai ka folur edhe për situatën në veri, duke thënë se atje ka polici të Kosovës si kurrë më parë.

Edhe Rrustemi: Për keqardhje që disa zëra opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë sulmin në Ibër-Lepenc Arbëri Rrustemi: Për keqardhje që disa zëra opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë sulmin në Ibër-Lepenc

“Kemi polici në Ujman, në rripin kufitar. Ky është fakt. Duket sikur ti i ke shtyrë zgjedhjet, e ke pezulluar shqiptimin e gjobave për targa ndërkohë që nga ky proces kemi dy efekte: e para që afatizohet edhe në kohë dhe në kontekst marrëveshja finale me Serbinë, dhe e dyta ka ndërprerje të prodhimit dhe lëshimit të targave të reja serbe”, është shprehur Rrustemi.

Ndërkaq, në lidhje me dënimin e Salih Mustafës me 26 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të premten, Rrustemi ka thënë se kriminelët serbë asnjëherë nuk kanë dalë në mënyrë meritore para drejtësisë.

“UÇK-ja nuk ka pasur as plan as program vrasjen e civilëve. 22 vite pas luftës dëmi është edhe politik, ndërkaq nuk kemi dalje para përgjegjësisë të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë”, ka thënë ai.