Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, derisa ka folur për çështjen e dinarit të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se nuk do të ketë zmbrapsje.
Rrustemi ka shtuar se të gjitha shqetësimeve do t’u jepet përgjigje, mirëpo Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të pezullohet.
“Opsionet janë bërë publike në fazën fillestare nga vetë BQK-ja, duke garantuar që çdo pagesë do të shkojë në adresën adekuate. Propozimet janë bërë nga shumë palë, mirëpo ato janë në proces ë diskutimit. Cilido opsion që do të përzgjidhet, do të flasë për mënyrën e zbatimit të rregullores, por jo për vënien në dilemë të zbatimit të saj. Në asnjë mënyrë nuk do të pezullohet rregullorja, është përcaktuar faza tranzicionale deri te fillimi i zbatimit. Nuk do të ketë zmbrapsje. Është çështje e diskutimit të opsioneve se si mund të transferohen mjetet financiare që nisen në dinarë e kthehen në euro kur të arrijnë në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Rrustemit, ka përfunduar koha kur lëvizja e brendshme në territorin e Kosovës varet nga disponimi i Serbisë.
“Ka përfunduar koha kur lëvizja e brendshme në territorin e Kosovës, në zbatim të Kushtetutës e të ligjit dhe të shtrirjes së sovranitetit varet nga disponimi dhe vullneti i Beogradit zyrtar, kjo kohë ka përfunduar në vitin 2021”, ka shtuar ai.
Rrustemi më tej ka thënë se preokupimi i vetëm i Serbisë lidhur me çështjen e dinarit është se po i pamundësohet financimi i strukturave paralele dhe grupeve terroriste.
Edhe
Rrustemi për opozitën: Nëse s’kanë më qasje bllokuese, do të gjendet zgjidhja për institucionet
“Preokupimi i vërtetë i Serbisë është që po i pamundësohet sjellja e thasëve me dinarë, të cilat i ka përdorur për t’i mbajtur gjallë strukturat paralele, grupet terroriste që e kanë sulmuar Kosovën më 24 shtator të vitit 2023 dhe në anën tjetër po i pamundësohet një leje e kontrollit si mjet presioni të vetë qytetarëve të komunitetit serb”, ka theksuar ai.
Deputeti i pushtetit tutje ka vlerësuar se është e domosdoshme që të shtohen kapacitetet e NATO-s në Kosovë dhe të kontrollohen vijat kufitare me Serbinë.