Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrustemi: Nuk duhet ta shtrojmë dialogun si çështje ekzistenciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ta shtrohet si çështje ekzistenciale e shtetit, pasi sipas tij, kjo e dobëson pozicionin e Kosovës.

Sipas Rrustemit, nxitimi për të arritur një marrëveshja finale me Serbinë ndikon negativisht në përmbajtjen e asaj që ai thotë se duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

“Për mua, më e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshje. Nxitimi në dialog e pastaj si faktor kohë ndikon negativisht në përmbajtjen e marrëveshjes finale që duhet ta ketë njohjen në qendër. Jam shumë i kënaqur me qasjen e institucioneve të Kosovës në procesin e dialogut. Ne duhet ta kemi gatishmërinë, konstruktivitetin, por të jemi të durueshëm për interesat e Kosovës. Nuk duhet ta trajtojmë si proces të shpejtë sepse mund të na kthehet me dëm. Nuk duhet ta shtrojmë si çështje ekzistenciale. Kjo e dobëson pozicionin e Kosovës”, ka thënë Rrustemi në “Java Sonte Me Rronin”.

Deputeti i pushtetit thotë se ishte i pritshëm veprimi i fundit nga kryeministri Albin Kurti, për vënien e reciprocitetit për letërnjoftimet me Serbinë. Rrustemi u shpreh se reciprociteti është parim i të drejtës kombëtare.

“Nuk është befasi. Është vendim i drejtë, i pritshëm, duke pas parasysh gjithë qasjen tonë sa i përket thelbit të dialogut. Nga qëndrimi i SHBA-së, i kancelarit gjerman, është e qartë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke”, shtoi ai.