Anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi, ka thënë se ndarjen e buxhetit për KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve mund ta bëjë Kuvendi i Kosovës.
Sot në mbledhjen e Qeverisë së dorëhequr, ku u vendos që të këshillohet nga Gjykata Kushtetuese se çfarë vendime mund të ndërmarrë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, u diskutua edhe për mungesën e buxhetit të KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve.
Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë në dorëheqje, gjatë diskutimeve në mbledhjen e Qeverisë kishte thënë se KQZ-ja s’ka buxhet sepse viti 2019 nuk ishte vit elektoral. Këtë më vonë e sqaroi përmes një reagimi duke thënë se “kam ngritur një pyetje legjitime mbi atë se cilat janë proceduat që duhet ndjekur për të siguruar buxhetin për mbajtjen e zgjedhjeve, përderisa diçka e tillë nuk është e paraparë këtë vit në planin buxhetor për shkak se rëndom viti 2019 nuk është planifikuar si vit elektoral. Kjo është diçka që nuk mund të anashkalohet dhe verifikimi i mandatit të Qeverisë në dorëheqje për të siguruar buxhetin për zgjedhjet është më se i nevojshëm”.
Lidhur me këtë ka reaguar Rrustemi i VV-së që ka thënë se është normale që KQZ s’ka buxhet të planifikuar për zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërsa ka shtuar se ndarja e buxhetit për zgjedhje është veprim tërësisht teknik.
“Është normale KQZ mos me pas buxhet të planifikuar për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse ato janë të paparashikuara në kohë. Ndarja e buxhetit për zgjedhje është veprim tërësisht teknik. Për më tepër, këtë mund ta bëjë Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë të rregullt apo të jashtëzakonshme e në procedurë të rregullt si përgjigje në kërkesën e KQZ-së për mjete financiare shtesë. Zgjedhjet nuk ndjekin buxhetin, por buxheti zgjedhjet”, ka shkruar ai në Facebook.
-
Daka thotë se KQZ-ja nuk merr asnjë veprim pa ndarjen e buxhetit
-
KQZ: Pasi të shpallen zgjedhjet e bëjmë planifikimin e buxhetit
-
KQZ-ja ende pa buxhet, Buzhala: Kemi kërkuar informata, por s’kemi marrë përgjigje
-
PDK-ja e LDK-ja kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve, VV-ja thotë se do të gjejë buxhetin për KQZ-në
-
Anëtari i LDK-së kritikon KQZ-në, ai i LVV-së Qeverinë, rreth fondit shtesë për zgjedhjet lokale