Nga temperaturat e larta, në Klinikën Emergjente në Prishtinë për 50 për qind është shtuar numri i personave që kërkojnë shërbime mjekësore.
Mjekët këshillojnë, sidomos të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe shtatzënat, që mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit gjatë mesditës.
Sipas parashikimeve meteorologjike edhe në ditët në vazhdim do të vazhdojë vapë e madhe, me temperatura të larta deri në 36 gradë Celsius, transmeton kp.
Mjekët këshillojnë që në mesditë, njerëzit mos t’u ekspozohen rrezeve të diellit, ndërkohë që bëjnë të ditur se rastet e ofrimit të shërbimeve mjekësore këto ditë janë të mëdha, si pasojë e temperaturave të larta.
Sinan Musliu, mjek në Klinikën Emergjente në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, thotë se kjo klinikë po pranon numër të madh të pacientëve këto ditë, edhe për shkak të aksidenteve që po ndodhin.
Edhe
Gjatë javës, temperaturat do të shkojnë deri në 38 gradë celsius
“Temperaturat e larta, sidomos këto ditë të fundit ndikojnë shumë në gjendjen shëndetësore të pacientëve, sidomos ata që janë me sëmundje kronike, qoftë të zemrës, qoftë rrugëve të frymëmarrjes. Të ne, përveç sëmundjeve kronike, temperaturat ndikojnë edhe në lëndime për shkak se është koha e verës ka aksidente shumë, në ndërtimtari ka punë shumë, pastaj pishinat, deti, puna këta muajt korrik e gusht është fluksi i madh i pacientëve saqë nuk e merr me mend. Numri i pacientëve këta muajt e fundit është shtuar diku mbi 50 për qind”, thotë ai.
Ani pse me disa vështirësi në kapacitete, Musliu thotë se po e japin maksimumin që t’i trajtojnë të gjitha rastet që kërkojnë shërbime mjekësore në Klinikën Emergjente.
Ai këshillon qytetarët, sidomos ata me sëmundje kronike, që mos t’u ekspozohen rrezeve të diellit.
“Kisha preferuar, të gjithë, jo vetëm ata që vuajnë prej sëmundjeve kronike, por edhe të tjerët, me ikë prej temperaturave të kohës së diellit, prej orës 10 deri në 17:00 të mbrëmjes, dhe mundësisht lëngje dhe ujë me përdorë sa më shumë sepse dielli ndikon keq”, thotë ai.
Parashikimet e motit tregojnë që deri të martën do të vazhdojë vapa afrikane.
Për ditët e nxehta, këshillohet të përdoren sa më shumë lëngje, sidomos një ose 2 litra në ditë nga një person i vetëm.
Edhe
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve ta shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut
Gjithashtu, duhet pasur kujdes me ushqimet, duhet konsumuar ato me karbohidrate dhe vitamina, dhe sa më pak ushqime që përmbajnë yndyrë.
Për të përballuar më lehtë të nxehtit, rekomandohen veshje me ngjyrë të çeltë, meqë të mbyllura akumulojnë të nxehtit.