Temperaturat e larta gjatë korrikut e kanë rritur numrin e thirrjeve për ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë. Rastet më të shpeshta, sipas mjekëve, janë ato të alivanosjeve që ndodhin sidomos gjatë orëve të pikut të nxehtësisë. Profesionistët shëndetësorë apeluan për kujdes të shtuar, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët dhe pacientët me sëmundje kronike. E institucionet shëndetësore e kanë kërkuar respektimin e rekomandimeve për shmangien e ekspozimit në diell
Pesë linja telefonike aktive në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë i presin në gatishmëri thirrjet e qytetarëve që kanë nevojë për intervenime urgjente. Vetëm deri në mesditën e së enjtes, në këtë qendër janë pranuar njëzet e shtatë sosh nga ekipi mjekësor.
Zilet e telefonave thuajse nuk pushuan dhe e pasuan njëra-tjetrën. Ende pa përfunduar regjistrimi i një rasti, në njërën nga katër linjat e tjera bëhet kërkesë për ndihmë.
Kjo situatë është e përditshme për ekipet e profesionistëve shëndetësorë, të cilët pas pranimit të thirrjeve pajisen dhe nisen menjëherë për reagim drejt adresave të dhëna. E sirena e lëshuar e autoambulancës i alarmon veturat në komunikacion për urgjencë.
Pas ndihmës së dhënë në një rast në kryeqytet, një nga autoambulancat kthehet në bazë me një person që ishte alivanosur në rrugë, për shkak të temperaturave të larta.
Mjekja, Brislinda Osmani, që ishte pjesë e ekipit që e dha ndihmën e parë, tregon për simptomat dhe veprimet që i ndërmorën menjëherë në vendin ku u alivanos qytetari.
“Dyshimet e para janë për shkak të temperaturave të larta, pasi që këto ditë për shkak të temperaturave e kemi pasur një fluks pak më të madh të këtyre pacientëve. Në vend të ngjarjes e kemi pa që është një moshë e re që e kemi pasur, një kokëdhimbje, marramendje, edhe dyshimet e para kanë qenë për shkak të temperaturave të larta, ekspozimi për shkak edhe të pikut të ditës e mandej ne si ekip i afrohemi pacientes, ia bëjmë vlerësimet primare, e ofrojmë ndihmën e parë në vend të ngjarjes”, ka treguar Osmani.
Në Qendrën e Mjekësisë Urgjente tregojnë se gjatë muajit korrik thirrjet për intervenim, për shkak të temperaturave të larta, janë shtuar dukshëm.
Drejtoresha, Amire Dragusha, thotë se në këtë periudhë rastet më të shpeshta janë ato të alivanosjes.
“Nëse i krahasojmë me muajt e kaluar ku temperaturat kanë qenë më stabile, gjatë muajit korrik ne e kemi vërejtur një rritje të fluksit të thirrjeve dhe të vizitave nëpër terren”, ka treguar ajo.
Dragusha bëri të ditur se patologji më e shpeshtë është alivanosja.
“Kjo kryesisht ndodh për shkak të temperaturave të larta, të zgjerimit të enëve të gjakut. Paraqitet hipertensioni. Në këtë rast pacientët i kanë ato simptoma, dhimbje të kokës, humbje të vetëdijes, alivanosje. Këto janë thirrjet më të shpeshta që domethënë paraqiten në linjën 194 gjatë rritjes të temperaturave më të larta”, ka thënë ajo. “Mirëpo, nuk domethënë që nuk kemi edhe thirrje të përkeqësimit të gjendjes kronike, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, respiratore, problemet e lëkurës”.
Dragusha apelon për kujdes të veçantë gjatë orëve të nxehta, veçanërisht për ata që përballen me sëmundje të ndryshme kronike.
“Qytetarët mundësisht të mos ekspozohen në temperatura të larta, në atë pikun e të nxehtit, ku është prej orës 11-17. Nëse e kanë të pamundur mos me iu ekspozu atyre kohërave, t’i gjejnë rrugët pak më alternative, ku është hije, ku nuk ekspozohen drejtpërdrejt në diell, të konsumojnë më tepër ujë. Rrobat të jenë më të holla, ngjyrat e çelëta. Të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët, mundësisht të mos u ekspozohen temperaturave dhe pacientët me sëmundje kronike”, ka thënë ajo.
Edhe në QKUK kanë thënë se ditëve të fundit është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Emergjente shkaku i temperaturave të larta.
Në fillim të javës, Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se një javë e nxehtë parashikohet ta përfshijë Kosovën. Temperaturat maksimale kanë shkuar deri në 39 gradë celsius. IHMK-ja ka alarmuar se Kosova gjendet në zonën e kuqe, e cila llogaritet me rrezik ekstrem.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, gjithashtu kanë bërë thirrje për kujdes.
Autoritetet, po ashtu kanë rekomanduar për shmangien e ekspozimit direkt në diell dhe konsumimin e mjaftueshëm të ujit.
“Qëndroni larg të nxehtit. Përdorni krem mbrojtës ndaj diellit. Shmangeni ekspozimin direkt në diell, nga ora 10:00 deri në 17:00. Limitojeni sasinë e kafeinës dhe alkoolit. Pini ujë rregullisht, të paktën një gotë në orë dhe 2-3 litra në ditë. Vishuni me rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura. Nëse keni shenja, si marramendje, djersitje, të vjella, konfuzione, etj., ju lutem drejtohuni për ndihmë mjekësore në Qendrën më të afërt Shëndetësore”, thuhet në komunikatën e dy institucioneve.
MSH-ja e IKSHPK-ja u kanë kërkuar qytetarëve që, sipas mundësive, t’i respektojnë rekomandimet e lëshuara këto ditë.
Dy ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22-25 korrik 2025.