Puna e mjekëve në Klinikën Infektive nuk po ndalet për asnjë moment, sidomos nga muaji mars kur në Kosovë janë paraqitur rastet e para me koronavirus.
Me rritjen e numrit të të prekurve me COVID-19, është rritur edhe numri i personave që po kërkojnë trajtim spitalor në këtë klinikë.
Javë më parë, në këtë klinikë ishin duke u trajtuar rreth 40 pacientë të konfirmuar me Covid-19, ndërsa në ditët e fundit numri i pacientëve ka shkuar në 60, raporton KOHA.
Murat Mehmeti, infektolog në Klinikën Infektive tregon arsyet që mund të kenë shkaktuar këtë rritje.
“Arsyeja e rritjes së numrit mendoj që është pa dyshim vetë klima, koha që ka ndryshu d.m.th tash po vijmë në vjeshtë edhe për shkak të ndryshimit të motit dhe ftohjes së motit njerëzit po mbyllen dhe po kthehen në ambiente të mbyllura dhe vetë vendosja në ambiente të mbyllura gjithmonë e rrit rrezikun e infeksionit. Në anën tjetër, si arsye tjetër do të kisha me marrë edhe me faktin se janë sjellë më shumë aparatura në IKSHPK dhe ka kapacitete më të mëdha për testime dhe kur ka testime më të mëdha atëherë kuptohet edhe të rritet numri”, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti thotë se janë të përgatitur për një valë të re të mundshme nga ky virus.
“Ne në njëfarë mënyre jemi të përgatitur ose veç e kem pas një fluks në muajin korrik dhe gusht dhe ka qenë një numër shumë i madh i pacientëve dhe kanë qenë kapacitetet tona të stërmbushura në njëfarë mënyre e kemi fituar një far eksperience, dhe ne jemi të përgatitur për më të keqen në kuptimin e rritjes së numrit të rasteve”, ka shtuar ai.
E, pacientët të cilët po trajtohen në këtë klinikë, përpos falënderimit për stafin mjekësor, apeluan te qytetarët për kujdes të shtuar.
Përveç kësaj klinike, me trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus, është duke u marrë edhe ajo e Pulmologjisë në të cilën aktualisht po marrin trajtim mbi 40 persona.