Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rritet dukshëm shfrytëzimi i transportit hekurudhor për mallra dhe njerëz në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit” për tremujorin e katërt (TM1) 2017, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor dhe Postë Telekomunikacionin si dhe atë për Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e parë 2017 (TM1 2017).

Përmes publikimit për transportin dhe telekomunikacionin janë prezantuar të dhëna për territorin e Kosovës, si vijon: gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 binarë hekurudhorë privatë. Ndërsa, qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë: 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në tremujorin e parë të vitit 2017, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 52 mijë, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, ku numri i udhëtarëve është ulur për 19.32%. Transporti i mallrave me tren, në tremujorin e parë të vitit 2017, është 98 mijë tonë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016) ka pasur një rritje për 23.30%”, thuhet në raportin e ASK-së, raporton Koha.net.

Numri i fluturimeve në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2017, sipas AKS-së, ishte 1 372, ose 4.26% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016).

“Kurse, numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti, ishte rreth 357 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016) ka një rritje për 2.01%”, thuhet në raportin e AKS-së.

Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit për TM1 2017, vizitoni këtë link.

Ndërkaq, për sa i përket Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e parë 2017 (TM1 2017), AKS thotë se në këtë periudhë të vitit 2017 gjithsej janë regjistruar 2 850 ndërmarrje.

Krahasuar me tremujorin paraprak (TM4 2016) vërehet një rritje për 26.6% të ndërmarrjeve të regjistruara.

“Ndërsa, nëse e krahasojmë me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016) vërehet një rënie për 1.6% të ndërmarrjeve të regjistruara”, deklaron AKS në raport.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori, sipas AKS-së, ishin, tregtia me 799 ndërmarrje të regjistruara (28.0%); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 350 (12.3%); ndërtimtaria me 269 ndërmarrje (9.4%); prodhimi me 265 (9.3%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 261 (9.2%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 188 (6.6%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Sipas AKS-së, kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 të punësuar përbën 2 740 ndërmarrje të regjistruara, ose 96.1%; kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 82 ndërmarrje të regjistruara (2.9%); 10 deri në 19 të punësuar me 20 ndërmarrje të regjistruara (0.7%); 20 deri 249 të punësuar me 8 ndërmarrje (0.3%); ndërsa në kategorinë 250+ të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 754 ndërmarrje të regjistruara (26.5%); Ferizaj me 232 ndërmarrje të regjistruara (8.1%); Prizreni me 224 ndërmarrje të regjistruara (7.9%); Peja me 169 ndërmarrje të regjistruara (5.9%); Gjilani me 166 ndërmarrje të regjistruara (5.8%); Mitrovica me 114 ndërmarrje të regjistruara (4.0%); Gjakova me 95 ndërmarrje të regjistruara (3.3%); ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Për më shumë informata rreth Regjistrit Statistikor të Bizneseve, vizitoni këtë link.