Arbëri

Rreth 9 mijë euro shpenzime për dy vizita, në Turqi më shumë shpenzoi stafi sesa Osmani

Afro 9 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës, dy udhëtimet e presidentes Vjosa Osmani.

4 mijë e 411 euro e 12 centë i ka kushtuar Osmanit dhe stafit të saj prej katër anëtarësh vizita në Estoni, në fillim të muajit qershor.

Sipas të dhënave të siguruara përmes qasjes në dokumente publike, Osmani për tre ditë ka shpenzuar 868 euro e 55 centë, prej të cilave 604 euro e 64 centë për bileta, 205 euro e 11 centë për mëditje e 58.80 centë për testimin për Covid-19.

Po aq sa Osmani, kanë shpenzuar edhe asistentja Egnesa Vitia, e këshilltarët e saj, Bekim Kupina e Arban Osmani.

68 euro e 37 centë më shumë sesa Osmani ka shpenzuar Artan Murati, i cili është zëvendësshef i stafit të saj. Dallimi nga presidentja e kolegët e tij, është bërë për një mëditje më shumë që ka marrë ai.

Pak më shumë sesa në Estoni, presidentja Vjosa Osmani e stafi i saj harxhuan gjatë vizitës në Turqi.

Por, për dallim nga vizita në Estoni, për vizitën në Turqi më shumë kanë shpenzuar këshilltarët e Osmanit sesa vetë ajo.

Nga 4 mijë e 566 euro e 12 centë, mbi 2 mijë prej tyre janë shpenzuar nga fotografi i presidentes, Arban Osmani. Më shumë se gjysma e tyre, apo 1 mijë e 536 euro për akomodimin e tij, 221 euro e 53 centë për biletë e 315 euro për gjashtë mëditje.

Derisa e gjithë vizita pesëditore në Turqi, presidentes i ka kushtuar 491 euro e 53 centë. 221 euro e 53 centë për biletë e 270 euro mëditje.

Osmani gjatë kësaj vizite, sipas të dhënave të siguruara nga zyra e saj, nuk ka shpenzuar as një cent për akomodim.

Dallim mes shpenzimeve të saj e stafit ka edhe sa u përket biletave. Derisa presidentja ka paguar 221 euro e 53 centë për bileta, këshilltari i saj Vehbi Miftari ka paguar 339 euro e shefi i stafit Blerim Vela 330.

Përveç stafit, në Turqi, Vjosa Osmani ishte e shoqëruar edhe nga bashkëshorti e vajzat e saj. Sipas një sqarimi të dhënë, ditë më parë nga Zyra e Presidentes, për këtë çështje, ftesa për vizitë ka qenë e tillë, derisa shpenzimet e udhëtimit nuk janë mbuluar nga buxheti i shtetit.