Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kupina: Shpenzimet e Presidencës i publikuam për të demonstruar kulturën e menaxhimit të parasë publike

Këshilltari për Media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, është deklaruar rreth publikimit të shpenzimeve të buxhetit nga Presidenca, për çka tha se grafikat e publikuara nuk janë bërë për krahasime, por për të demonstruar kulturën e menaxhimit të parasë publike.

I ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Kupina tha se nuk ka arsye për t’i fshehur shpenzimet e këtij institucioni, duke shtuar se pas kërkesave të shumta nga mediat dhe shoqëria civile, erdhi momenti që ato t’i vihen në dispozicion publikut.

“Nuk bëmë krahasim vetëm se i publikuam. Sipas grafikave është bërë një prezantim i të dhënave nga 2013 deri në vitin 2021 ku shihet një rënie drastike e shpenzimeve në vitin e fundit. Kur i merr dhe i krahason shumat për dreka dhe darka zyrtare në vitin 2020 dhe 2021, shihet se në 2020-ten shihen shpenzimet për rreth 80 mijë euro. E shihni dallimin që është dukshëm i madh”, ka thënë ai.

Kupina më tej njoftoi se Presidenca nuk i ka ndërprerë aktivitetet e saj edhe gjatë pandemisë. Sipas tij, rrjedhimisht i bie që ka pasur mundësi të ketë pasur rënie të aktiviteteve, por jo edhe ndërprerje të punës gjatë pandemisë.

“Ne duhet të orientohemi te obligimi ligjor i ynë që është publikimi i të dhënave. Kemi pasur kërkesa në vazhdimësi nga mediat dhe shoqëria civile andaj erdhi momenti që ne t’ua vëmë në dispozicion ato publikut. E rëndësishme është të demonstrojmë kulturën e menaxhimit të parasë publike. Ky racionalizim duhet të shihet nga këndi pozitiv nga të gjithë sepse kjo tkurrje nga shpenzimet maksimale në ato minimale është në dobi të vendit”, ka thënë ai duke shtuar se në asnjë situatë nuk ka ndodhur të bëjmë vizita të presidencës i gjithë stafi, një delegacion kinez, zakonisht shkojnë 4 ose 5 këshilltarë.

Edhe Presidenca publikon shpenzimet ndër vite, harxhimet më të mëdha më 2019 Arbëri Presidenca publikon shpenzimet ndër vite, harxhimet më të mëdha më 2019

Kupina njoftoi se këshilltarët udhëtojnë me rrotacion, teksa shtoi se planifikimi i një udhëtimi nuk ndodh brenda ditës, por duhet një periudhë kohore që të planifikohet ai deri në detaje.

“Kjo është simptomë e shpenzimeve që i kemi prezantuar këtu. Gjatë vitit 2021 kemi pasur 14 vizita bilaterale jashtë shtetit. Planifikimi Ii një udhëtimi nuk ndodh brenda ditës, është në një periudhë kohore kur bëhet planifikimi në detaje. Fakti që po flasim për racionalizim të shpenzimeve tregon që edhe përzgjedhja për akomodim jashtë vendit bëhet në mënyrë të kujdesshme”, tha ai.

Derisa tha se nuk kanë pse t’i fshehin këto shpenzime, Kupina u deklarua edhe rreth akuzave dhe sulmeve të opozitës ndaj shefes së shtetit duke thënë se ato janë qesharake.

“Ne kemi realizuar një cikël të udhëtimeve përgjatë vitit 2021, andaj akuzat që vijnë nga tabori i opozitës duken qesharake pasi që nuk mund të ndërtohet kauzë opozitare me sulme ndaj presidentes”, tha ai.

Këshilltari i Presidentes Osmani më tej shtoi se kjo e fundit ka marrë pozitën në kohën kur imazhi i Kosovës ka qenë jo i mirë, andaj edhe në vizitat e realizuara së fundi është punuar për përmirësimin e imazhit të vendit.

“Konteksti kohor dhe ai politik duhet të merren parasysh. Nuk mund të ketë njohje siç u zhvilluan në vitin 2008, andaj aktivitetet e presidentes duhet të shihen nga këndvështrimi i përmirësimit të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja e ka marrë pozitën në kohën kur imazhi i Kosovës ka qenë përtokë. Vizitat që ne i kemi pasur në shumë shtete të botës, aktivitetet e presidentes janë të shumta dhe janë të orientuara në përmirësimin e imazhit që ne e konsiderojmë që ka qenë i dëmtuar deri në momentin kur presidentja e ka marrë pozitën”, tha ai.

I pyetur për qëndrimet e presidentes sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Kupina tha se ato janë publike dhe janë të patjetërsueshme.

“Ju i dini qëndrimet e presidentes tashmë janë publike, janë parime themelore të cilat ajo vazhdimisht i ka përmendur dhe janë të patjetërsueshme. Lista e marrëveshjeve të cilat nuk i ka zbatuar Serbia janë të shumta, ndërsa pala kosovare i ka zbatuar shumë marrëveshje të nënshkruara. Nuk duhet të shihet ndaras pozicioni i presidentes së shtetit dhe i kryeministrit, zakonisht janë takimet konsultative që harmonizohen qëndrimet e liderëve shtetëror. Integriteti territorial i Kosovës dhe rendi kushtetues janë të pacenueshëm. Nuk mund të lëvizet përpara në këtë proces pa i respektuar këto dy parime”, shtoi Kupina.

Edhe Presidentja do konsensus për buxhetin e 2026-s përpara zgjedhjeve potenciale të parakohshme LAJMET E MBRËMJES Presidentja do konsensus për buxhetin e 2026-s përpara zgjedhjeve potenciale të parakohshme

Ai u deklarua edhe rreth komenteve të dërguara në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë nga institucioni që përfaqëson, duke thënë se Presidentja ka kërkuar barazueshmëri për të gjithë qytetarët.

“Opinionet, komentet që i kemi dërguar në ZRRE nuk janë obligative, do të varet nga ZRRE-ja nëse do t’i marrë parasysh ato. Presidentja e ka shfrytëzuar të drejtën për të dërguar komentet e saj, ku ka kërkuar barazueshmëri, ku barra e shtrenjëtimit të energjisë elektrike të bie barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Struktura e re të mos jetë diskriminuese për të gjithë qytetarët e Kosovës, ky është qëndrimi që e ka mbajtur presidentja për komentet e dërguara te ZRRE-ja”, përfundoi ai.