Është hera e dytë që në këtë pjesë dheu rrëshqet.
E këtë herë, rezultoi edhe me arrestimin e pronarit të banesës dhe të tre inspektorëve të Komunës së Prishtinës.
Të dielën u arrestua pronari i objektit, ndërtimi i të cilit po shkakton rrëshqitjet e njëpasnjëshme të dheut.
Ndaj tij, Prokuroria njofton se ka bërë kërkesë për paraburgim.
“Duke iu referuar kërkesës suaj për informata, ju njoftojmë se, më 08.09.2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar për 48 orë një person, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndaj të njëjtit, prokurori i shtetit ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me ç’rast Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak. Lidhur me rastin e njëjtë, më 09.09.2019, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë tre persona, pasi që të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore, Prishtinë.
Ndërkaq, Prokuroria njofton se ndaj inspektorëve është marrë masa e ndalimit për 48 orë.
“Kohavisioni” mëson se nën prangat e policisë për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” kanë rënë inspektori kujdestar, një inspektor i ndërtimtarisë për këtë zonë dhe një i shërbimeve publike.
KTV-ja merr vesh që bëhet fjalë për peronat me inicialet Q.O, GJ.G, dhe G.R.
Sa i përket arrestimit të zyrtarëve komunalë, Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se për rastin është njoftuar nga mediat.
“Nga mediat kemi marrë vesh që janë ndaluar për 48orë, nuk kemi njoftim zyrtar. Mbase Prokuroria mund të japë më shumë detaje”, ka thënë ai.
Ndërkaq, është hera e dytë që dheu në rrugën “Nekibe Kelmendi” rrëshqet duke e vështirësuar kalueshmërinë në këtë pjesë.
Banorët e zonës i kanë treguar televizionit se ajo pjesë është jostabile për shkak se aty është edhe një gyp i ujit që tokën e bën të paqëndrueshme.
Mirëpo, prapa kamerës, pronarët e tokës thanë se problemi do të evitohet pasi që hapësira do të mbushet me dhe shtesë.
Ndërkaq, sipas Prokurorisë Themelore, që nga hera e parë kur ka rrëshqitur dheu, nuk është ndërmarrë asnjë veprim.