Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrëfimi i prindit për mashtrimin e trefishtë me transplantin e mëlçisë te vajza në Turqi

Së paku tri mashtrime dyshohet të kenë ndodhur në rastin e vajzës së Sadik Shalës nga Prizreni, që kishte nevojë për transplant të një pjese të mëlçisë. Edhe pse thotë se i ka të gjitha dokumentacionet me të cilat shteti ka marrë përsipër transplantin në një spital në Turqi, Shala në emisionin “60 Minuta” në KTV ka treguar se vajza e tij herën e parë që ka shkuar atje nuk e ka marrë trajtimin që e ka pasur të përfshirë në profaturë. Në herën e dytë që ka shkuar, pagesën e ka bërë një donator, ka thënë Shala. Dyshimet për rastin shtohen pasi sipas dokumenteve që ka parë KOHA, në fletëpagesën e vitit 2020, në emrin e vajzës së tij, nga shteti i janë paguar spitalit në Turqi 30 mijë euro.

Shala është një nga shumë qytetarët që, pas nisjes së publikimit të serisë hulumtuese të KOHËS, po ankohen për mashtrime e neglizhencë të shtetit për trajtim jashtë vendi të të sëmurëve rëndë. Ai ka folur publikisht për dyshimet për tri mashtrimet.

Shala, në një lidhje direkte nga Kroacia, ku thotë se ka shkuar për të punuar për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ka thënë se edhe pse i ishte thënë se sa të shkojë në Turqi do ta kryejë transplantin, një gjë e tillë s’ka ndodhur dhe pasi ka shkuar i është kërkuar të gjejë vetë dhuruesin.

“Jam në Kroaci. Së pari ju falënderoj juve për këtë iniciativë sepse ne shumë si prindër, kushdo që kemi pasur të sëmurë e dimë çka kemi hequr. I falënderoj të gjithë qytetarët e Prizrenit. Është një donator anonim që më 2019 i kreu të gjitha pagesat, e sa i përket Qeverisë më 2017 ma kanë dhënë të drejtën se kinse i paguajnë të gjitha shpenzimet. E kam dokumentacionin, por në fund të fundit asnjëra s’është arritur. E kam dokumentacionin e plotë që kanë thënë se i heqin të gjitha shpenzimet”, ka thënë ai duke akuzuar për mashtrim “një zyrë ndërlidhëse që punon mes spitaleve të Turqisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë”.

“Sipas profaturës që e lëshojnë, aty bëjnë manipulime si të duan e ne, prindërit, s’kemi pasur asnjë informatë se çka po ndodh mes Ministrisë dhe Spitalit”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se në herën e parë në Turqi ka paguar 85 mijë euro dhe ka qëndruar tre muaj. Sipas tij, në Turqi i është kërkuar të gjejë donatorë dhe kjo s’ka qenë e mundur. Ka arritur ta kryejë transplantin tek dy vjet më vonë, pasi i djali i tij mbushi 18 vjet. Për transplantin, që qe zotuar shteti, ka paguar një donator.

“Fatkeqësisht ajo zyrë ndërlidhëse që është, e keqpërdor çdo të sëmurë duke u thënë se ne u ndihmojmë e gjithçka, por kur shkon atje prindi s’ka kurrfarë ndihmese hiç. Ata janë njerëz që kanë bashkëpunime me ta (spitalet e Turqisë). Pa i bë profaturat, fatkeqësisht drejtoria s’lëshon letra për ta trajtuar jashtë. Herën e parë kur kemi qenë, drenazhin ia kam bë vetë për katër muaj. Ia kam pastruar vetë sepse ku me e çu për ta pastruar”, ka thënë ai. “Herën e parë na kanë thënë se atje do të bëhet me transplant me krejt, e kur kemi shkuar s’ka pas asgjë. Më ka thënë prindi me ia dhënë pjesën e mëlçisë. Fatkeqësisht, mua s’më ka bë se e kam tensionin dhe yndyrën. Djali ka qenë nën 18 vjet dhe s’i ka bë. Pasi i ka bë 18 vjet në vitin 2019, një muaj më pas i kam marrë të dy dhe ia ka dhënë gjysmën e mëlçisë për ta shpëtuar motrën e vet. Pagesën e kam bë vetë me donator anonim, e falënderoj dhe është njeri që s’dëshiron ta bëjë kurrë publike”, ka thënë tutje ai.

Shala thotë se fillimisht e ka paguar një donator. E sipas dokumenteve që ka parë KOHA, në fletëpagesën për vitin 2020 në emrin e fëmijës së tij, drejt spitalit në Turqi, janë paguar nga shteti 30 mijë euro.

KOHA ka disa ditë që ka nisur publikimin e shkrimeve hulumtuese për dyshimet për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë në programin për trajtim jashtë institucioneve publike, që funksionon në kuadër të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Hulumtimi i KOHËS ka zgjatur disa muaj. Është shqyrtuar dosje e madhe e dokumenteve dhe janë intervistuar shumë familjarë të pacientëve. Po ashtu, edhe persona që janë përfshirë në Programin për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike, përfshirë agjencitë ndërmjetësuese, përkatësisht përfaqësuesit e spitaleve private. Nga të dhënat e siguruara dyshohet për keqpërdorimin e miliona eurove që çdo vit ndahen nga buxheti i Kosovës për këtë program.

 

Artikuj të ngjashëm