E ndërtuar në një periudhë kohore të ngjashme me Hotel Grandin, ish-shtëpia e mallrave Gërmia, ka mbetur jashtë listës së objekteve të mbrojtura.
Në Ministrinë e Kulturës, përkatësisht, Vjollca Aliu, ka thënë se askush nuk e ka propozuar këtë objekt që të hyjë në mesin e objekteve të mbrojtura, raporton emisioni “038” në KTV.
Derisa debati për rrënim apo konservim të tij vazhdon, Rrahim Fazliu, që ka qenë drejtor me të përfunduar lufta, thotë se objekti nuk duhet rrënuar.
Madje, ai thotë se UNMIK-u i kishte bërë një studim objektit ku kishte konstatuar se përkundër bombardimeve pranë tij, ai është i fortë dhe mund të përdoret.
Derisa objekti mbahet mend edhe për shkallët lëvizëse, ato për momentin janë jashtë funksionit dhe shërbejnë si depo për ATK-në.
Por, objekti tani ka humbur pamjen e dikurshme dhe shfrytëzohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe ATK-ja. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, synon ta rrënojë objektin dhe në vend të tij, të ndërtojë sallën koncertale.