Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Eman Rrahmani, ka thënë se kishte ofruar dy propozime sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti, por të cilat nuk u morën parasysh.
Rrahmani ka thënë se kjo ka qenë arsyeja pse nuk ka marrë fare pjesë në votimin e së enjtes, në seancën e Kuvendit, për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës që do të mundësonte tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
“Kam propozuar që t’u mundësohet tërheqja e Trustit deri në 30 për qind mirëpo ato mjete të kthehen nga vetë kontributdhënësi në një periudhë dhjetëvjeçare, dhe të kenë të drejtë të tërheqin në rastet kur kontributdhënësit kanë nevojë për trajtim mjekësor në ato rastet kur sëmundjet nuk trajtohen në institucionet shëndetësore publike, pra me një procedurë të njëjtë siç trajtohet një pacient jashtë vendit me ato nënshkrimet nga mjekët specialistë të fushës. Një qytetar që diagnostikohet me një sëmundje të rëndë dhe i duhen mjete për t’u trajtuar, ai mund të vdesë dhe s’besoj që i duhen pastaj kursimet që i ka llogari. Këto kanë qenë dy propozimet e mija që qytetarët të kenë një qasje në mjetet e kursyera dhe që nuk do të ndikonin, pasi për një periudhë dhjetëvjeçare secili kontributdhënës do t’i kthente ato mjete”, ka thënë Rrahmani.
Ai ka shtuar se propozimet i ka diskutuar me shefen e grupit parlamentar të LVV-së dhe se diskutimi nuk ka shkuar më tutje.
“I kam diskutuar propozimet me shefen e grupit parlamentar mirëpo nuk është se është diskutuar më tutje, përveç asaj që e kemi diskutuar në Kuvend sot. Arsyeja pse s’kam marrë pjesë në votim fare është pikërisht kjo se nuk janë marrë parasysh ato që i kam diskutuar dhe mundësia që në të ardhmen të ketë iniciativa pasi ky ligj duhet të ketë plotësim-ndryshim. Ka mungesa shumë të mëdhaja”, është shprehur Rrahmani.
-
Pas humbjeve në Trust, opozita kritikon Qeverinë që refuzoi tërheqjen nga kontributpaguesit
-
S’ka tërheqje të re nga Trusti
-
Tahiri-pushtetit: Votojeni Trustin, 51%-shi i para 2 vjetësh po e shkel vullnetin e 99% të qytetarëve
-
Të enjten Kuvendi shqyrton tërheqjen e Trustit, LVV-ja mbetët kundërshtuese
-
Procedohet në Kuvend nisma për tërheqjen e trustit