Arbëri

Rinovohet objekti i maternitetit në Lipjan

Komuna e Lipjanit nga buxheti vetjak në vlerë prej 35 mijë eurosh ka rinovuar objektin e maternitetit, ndërkohë ka planifikuar 25 mijë euro të tjera për blerjen e pajisjeve teknike dhe në kuadër të tyre edhe një “ultrazë”, i cili është kërkuar nga vetë qytetarët.

Materniteti që funksionon në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan deri tashti është përballur me një varg telashesh derisa në këtë sektor asnjëherë nuk është investuar në pajisje për punë, madje mungon edhe stafi profesional për kryerje të lindjeve, shkruan sot Koha Ditore.

Rreth gjendjes së rëndë në këtë institucion është debatuar mjaft gjatë edhe në mbledhjet e KK-së derisa këshilltarët kanë kërkuar disa herë të investohet në këtë objekt, me arsyetim se brenda vitit sipas raporteve po kryhen jo më shumë se pesë lindje.

Vlora Limani- Hajnuni, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Lipjanit, ka deklaruar se renovimi i këtij objekti tashmë ka përfunduar, ndërkohë janë në pritje që të përfundojnë procedurat e prokurimit për pajisje elektronike.

Nga ana tjetër, sipas raporteve gjatë vitit 2018, në këtë objekt janë kryer më pak se dhjetë lindje, ndërkohë pacientet në Lipjan kanë thënë se Komuna duhet të ofrojë kushte më të mira teknike dhe kontrolle të rregullta për gratë shtatzëna. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)