Arbëri

Rexhepi: Po hasim në përdorues 12-vjeçarë të marihuanës

Në Kosovë ndër substanca narkotike që përdoret më së shpeshti është marihuana, sipas psikiatrit Sami Rexhepi. Ai ka theksuar se ky fenomen bëhet edhe më tragjik, pasi marihuana po përdoret edhe nga 12-vjeçarët.

Rexhepi në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë të martën se dëmtimet në tru janë shumë të mëdha kur substancat narkotike përdoren nga moshat e ulëta.

“Te ne është marihuana që përdoret më së shumti, është shumë më e qasshme. Tragjike është se po hasim në moshën 12-vjeçare në përdorim të marihuanës, kjo moshë është zvogëluar shumë, përpara ka qenë 18 vjet, 16 vjet. Ai tru është i paformuar dhe kur marrim një substancë psikotrope është si të merret truri të futet në ujë të valë. Dëmtimet janë shumë të mëdha”, ka thënë ai.

Rexhepi ka thënë se Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë aktualisht i ka 1800 pacientë me sëmundje kronike psikiatrike. Ka shtuar se shpesh u referohen raste të reja psikiatrike nga Policia e Kosovës, persona këta që janë fshehur nga familjet e tyre apo nga vetë individi.

“Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë që është qendër rajonale, i kemi në mbikëqyrje rreth 1800 klientë me sëmundje kronike psikiatrike. Por nuk kemi numër të saktë të rasteve ambulantore, se vetëm një pjesë vjen te ne. Institucionet private shëndetësore nuk është rregulluar një sistem ku përpunohen të dhënat dhe të përpilohet një strategji”, ka shtuar Rexhepi.

Ai theksoi se Kosovës i nevojitet një institucion i veçantë për trajtimin e personave që abuzojnë me substanca psikotrope.

“Kosova nuk e ka një institucion që do të merrej vetëm me trajtimin e personave që abuzojnë me substanca psikotrope. E ka repartin e sëmundjeve të varshmërisë, Klinika e Psikiatrisë, por aty mund të bëhet shumë pak. Por, trajtimi i personave që abuzojnë me substanca psikotrope ka kuptim më të gjerë. Duhet një institucion i veçantë që në mënyrë të veçantë i trajton këta persona”, ka thënë ai.

Psikiatri ka folur edhe për ndikimin e krizave ekonomike e sociale në shëndetin mendor. Tregoi se kur duhet të kërkohet ndihma e profesionistit të shëndetit mendor.

“Është normale në rrethanat ekzistuese, ekonomike, sociale, të përjetohen kriza emocionale. Vija e parë është familja, shokët, është e rëndësishme që individë të mos ndihet se është vetëm. Ankthi dhe stresi janë pjesë e jetës sonë dhe duhet t’i marrim si normale sepse janë gjeneratorë të energjisë për të funksionuar, për të tejkaluar një problem, këto na ndihmojnë. Por kur kohëzgjatja e tyre është më e madhe, atëherë fillojnë të na bëjnë jofunksionalë. Ky është momenti kur duhet të kërkohet ndihma prej një profesionisti të shëndetit mendor”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi u shpreh kundër legalizimit të marihuanës, duke theksuar se në Kosovë nuk po mund të kontrollohen as ilaçet nëpër barnatore e lëre më substancat psikotrope.

“Në cilëndo barnatore mund të blini cilindo antidepresiv, një pjesë e tyre ka predispozita të krijojë varshmëri. Në disa barnatore po blihet edhe metadoni, dhe ne nuk kemi kontroll. Është e pamundur të kontrollohet sektori farmaceutik në këtë nivel të organizimit”, ka thënë ai.