Kryeredaktorja e “KOHËS”, Brikenda Rexhepi, ka reaguar pasi lëvizja djathtiste serbe “Nashi” duke sulmuar gazetën “Danas” ka përfshirë edhe “KOHËN Ditore”.
Ajo ka thënë se një gjë e tillë e dëshmon se Serbia nuk jeton në të sotmen.
“Shënjestrimi i “KOHËS Ditore” bashkë me “Danasin” nga lëvizja djathtiste serbe “Nashi” e dëshmon se Serbia ende jeton në vitet ’90. Asaj i pengon e vërteta siç i ka penguar përherë. Dikur sulmohej nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit, sot nga ajo e Aleksandar Vuçiqit. KOHA Ditore vazhdon të jetë simbol i rrezikut nga raportimi i lirë e profesional për pushtetin në Serbi, qysh nga fundi i nëntëdhjetave kur Vuçiq ka qenë ministër për Informim i Millosheviqit e edhe sot kur ai është President i Serbisë”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi ka thënë se “KOHA” u pengon atyre që nuk duan ta njohin të vërtetën, teksa u ka dhënë mbështetje kolegëve të “Danasit”.
“KOHA po ashtu vazhdon të jetë adresa me e besueshme për informacione të reja e të sakta sikur brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. I gjithë ekipi i saj bën punë të pakompromis për raportim të drejtë e në interes te publikut pavarësisht sfidave me te cilat përballet skena mediale sot. Kolegët gazetarë të ‘Danasit’ kanë mbështetjen tonë në rrugën e tyre të vështire për të mbetur të pavarur nga regjimi që nuk dallon prej atij të viteve ’90”, ka thënë Rexhepi.
Në fletushka e lëvizjes “Nashi” shihet logo e “Danasit”, një nga mediumet e pakta të pavarura në Serbi, dhe e “KOHËS Ditore”.
Fletushkat kanë synuar kryeredaktorin e “Danasit”, Dragoljub Petroviq.
Në fletushkë është edhe heroi kombëtar i Kosovës, Adem Jashari dhe shkruan: “Ti nuk je Drazha, ti je Adem”.
Raportimi i pavarur i “Danas”, po cilësohet si i dëmshëm për Serbinë nga kjo lëvizje dhe madje edhe nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq të mërkurën në konferencë për media e shënjestroi “Danasin”, duke e akuzuar se po synon “shkatërrimin e Serbisë”.
Të enjten ka reaguar ndaj shënjestrimit të gazetarëve në Sebri edhe Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur Serbë (NUNS). NUNS ka dënuar sjelljen e përfaqësueseve të lartë të Qeverisë dhe i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeveritarëve të ndalojnë së synuari gazetarët.
NUNS ka thënë se qeveritarët serbë po krijojnë objektiva për sulme të mëtejshme ndaj gazetarëve.
NUNS ka treguar se si në tre ditët e fundit, pas sulmeve të së dielës në Banjskë të Zveçanit, Vuçiqi shënjestroi gazetën “Danas”, po ashtu shënjestroi gazetaren e “N1”, Sanja Sovrliq. Po ashtu ka treguar se si është kërcënuar edhe redaktorja e “TV Happy”, Brankica Stankoviq, pas një emisioni.
“Danas” edhe të mërkurën kishte pranuar një mesazh ku shkruante “pas djegies nuk do të përmenden më ata”.