Fatmir Rexhepi, deputet i LDK-së, dhe Hajredin Kuçi i PDK-së janë deklaruar pak para nisjes së seancës plenare të Kuvendit të Kosovës e në të cilën seancë pritet të votohet për qeverinë e re të Kosovës.
Në një deklaratë për KTV-në, Rexhepi ka thënë se grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet për të parë emrat e propozuar për ministra dhe për të votuar Qeverinë Kurti. Ai nuk ka mundur të tregojë zyrtarisht nëse Agim Veliu është propozuar për ministër të Punëve të Brendshme.
Në anën tjetër, Kuçi është shprehur se tashmë PDK-ja është pajtuar me rolin opozitar. Ai ka thënë se kjo parti do të veprojë si opozitë “duke mos votuar qeverinë”.
“Ne kemi tash rol të ri. E ndiejmë nevojën që Kosova të ketë institucionet e veta. Opozita do të luajë rolin e vet por gjithmonë do ta marrë parasysh interesin qytetar. Është qëndrim opozitar dhe opozita nuk e voton qeverinë, por për vendimet në interes të vendit normalisht që do të luajmë rolin tonë. Kam qenë edhe më herët opozitë. I marr si procese normale. Janë procese demokratike. Kushdo që fiton një ditë duhet të përgatitet për opozitë e ai që humb se një ditë do të marrë pushtetin. Kjo është demokracia”, ka thënë ai.