Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka thënë se partitë opozitare duhet të përfshihen në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, pasi siç ka thënë ai, kjo temë është edhe e subjekteve tjera dhe jo vetëm e Qeverisë.
Në “Konfront” të KTV-së ai ka thënë se opozita duhet të dalë në debate për dialogun. Sipas tij, partitë në opozitë nuk kanë qëndrim të qartë rreth dialogut.
Rexhaj ka shtuar se opozita po tregon hipokrizi duke u munduar ta fshijë të kaluarën e qeverisjes së tyre me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
“Do duhej të dalin nëpër debate sepse dialogu nuk është vetëm çështje e pozitës por edhe e opozitës, megjithatë e kuptoj sepse 2013-ta, sidomos 2015-ta e Asociacionit, Zajednicës është produkt i tyre. Ende sot e kësaj dite unë nuk e kam një pozicion të qartë të opozitës a janë për Zajednicë, a janë për Asociacionin pa kompetenca ekzekutive, a nuk janë për asnjërën, a e përkrahin Kurtin në këtë rrugëtim, a janë pro propozimit evropian. Megjithatë ka qëndrime kundërshtuese ndaj Qeverisë që janë të përgjumura, pjesë-pjesë, dhe me një fjalë opozita nuk ka qëndrim fare në raport me zhvillimet e fundit politike në vend. Kjo tregon një hipokrizi të tyre sepse në një anë po mundohen ta fshijnë të kaluarën dhe kur po i ballafaqojmë me të kaluarën e tyre, ata reagojnë, siç është puna e atyre videove që i nxjerr sekretariati ynë për media”, ka thënë Rexhaj.
As për propozimin evropian, Rexhaj ka thënë se opozita nuk ka nevojë të kundërshtojë pasi nuk ka diçka konkrete që është nënshkruar. Ai ka shtuar se siç ka deklaruar kryeministri, ky propozim është vetëm bazë e mirë për diskutim dhe se nuk do të thotë që pranohet tërësisht.
“Kurti thotë se është bazë e mirë për marrëveshje, nuk ka diçka që është nënshkruar. Kurti në parim pos pikës së fundit ku thuhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet, me gjërat tjera nuk e ka problemin. Thotë se është bazë e mirë për diskutim dhe kjo nuk na shpi në rrugë drejtpërdrejt të pranimit apo mospranimit. Asgjë nuk kemi, përpos një dokument që është bazë e mirë për të vazhduar dialogun”.