Arbëri

“Rexhai Surroi” për shkrimin që denoncoi keqpërdorimet në kurriz të pacientëve dhe romanin e çmitizimit

Grupi KOHA të enjten, në një ceremoni solemne, ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi”. Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, u shpall laureate e shpërblimit për gazetari të shkruar me serinë e teksteve “Abuzimi me fondin për trajtim jashtë vendit”. Shkrimtari nga Shqipëria, Liridon Mulaj, ka marrë shpërblimin vjetor për romanin më të mirë shqiptar, për veprën “Provinca”. Promovimi i librit “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” me autor gazetarin Enver Robelli, bashkë me pjesën artistike e kanë plotësuar ngjarjen që tashmë është bërë tradicionale

Seria e raportimeve që demaskoi keqpërdorimet e buxhetit publik në emër të shëndetit të qytetarëve me sëmundje të rënda dhe romani që trajton figurën e nënës nga perspektiva të ndryshme, kanë marrë shpërblimet prestigjioze “Rexhai Surroi”.

Grupi KOHA të enjten, në një ceremoni solemne, ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi”. Në këtë ceremoni – ku edhe bëhet një rrumbullakim i ngjarjeve vjetore – gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, u shpall laureate e shpërblimit për gazetari të shkruar me serinë e teksteve “Abuzimi me fondin për trajtim jashtë vendit”. Shkrimtari Liridon Mulaj ka marrë shpërblimin vjetor për romanin më të mirë shqiptar, për veprën “Provinca”. Promovimi i librit “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” me nëntitull “Një kronikë e pazakonshme e shekullit 20”, me autor gazetarin Enver Robelli, bashkë me pjesën artistike e kanë plotësuar ngjarjen që tashmë është bërë tradicionale. Sivjet është mbajtur edicioni i 15-të.

Dënimi i kujtesës

Image

Në emër të themeluesve të shpërblimeve që mbajnë emrin e gazetarit, shkrimtarit e diplomatit, Rexhai Surroi, të pranishmëve u është drejtuar shkrimtari e publicisti Veton Surroi.

Ai ka thënë se “Damnatio memoriae” apo “dënimi i harresës” është përshkrim në latinisht i një fenomeni që është i vjetër sa edhe njerëzimi, ai njerëzim që ka ditur të flasë dhe të shkruajë.

Ka sqaruar se fenomeni është veprimi i pushtetit - moral e religjioz, politik, ekonomik apo i të gjithëve së bashku që të dëbojë nga kujtesa emrin a veprën e dikujt që është në kundërshtim me atë pushtet.

“Ushtrimi i ‘Damnatio memoriae’ filloi pra para se të lindte ky togfjalësh në shekullin XVII dhe vazhdoi me ushtrim duke mos ditur shumë për të. Përgjatë shekullit XX janë ndërruar emrat e qyteteve e të rrugëve, janë emërtuar institucione kulturore, aeroporte me qëllim parësor të vendosjes së autoritetit të pushtetit në fuqi. Këtë e kemi përjetuar pothuajse të gjithë, e ata që kanë moshë si nëna ime e kanë përjetuar disa herë, me ndërrimin e shpeshtë të pushteteve”, ka thënë ai. Ka treguar se George Orwell, ndonëse përshkroi fenomenin si pjesë të totalitarizmit, në romanin “1984” dha formulën e cila fitoi aplikim universal: “Ai që kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen: ai që kontrollon të tanishmen kontrollon të kaluarën”.

“Pra, jetojmë në garën për të kontrolluar të kaluarën, rrëfimet e së kaluarës, në mënyrë që të kontrollojmë se si do të duket e ardhmja”, ka thënë Surroi.

Ka sjellë përvojën kur e kishte pyetur vajzën e tij Rean se si kishte kaluar një ditë në shkollë. Bëhet fjalë për vitet kur shqiptarët kishin arsim paralel në raport me serbët në Kosovë.

“E pyeta se si kishte kaluar dhe më tha që kishin bërë gjuhë shqipe 10 minuta pastaj 15 minuta ushtrime fizike, pastaj 10 minuta matematikë dhe 15 minuta ushtrime fizike dhe kështu me radhë. Të nesërmen do të kuptoja që në godinën e ndarë dysh fëmijët shqiptarë nuk kishin ngrohje”, ka thënë ai. Më pas ka treguar se këto ditë i biri i tij, Nuri, ia kishte treguar një test të edukatës qytetare.

“Në test u paraqit një vizatim me titull, të cilin nxënësit duhej ta komentonin dhe ai shkroi: ‘Me këtë fotografi unë kuptoj se mund të jemi të ndryshëm, kemi racë të ndryshme, fe të ndryshme, gjuhë të ndryshme, por akoma jemi të barabartë’. Gati tridhjetë vjet pas kujtesës së Reas, po lind një rrëfim i ri të cilin Nuri e përmblodhi me fjalinë përfundimtare: ‘Askush nuk është më i rëndësishëm se tjetri’”, ka thënë ai, duke shtuar se kujtesa është edhe ndryshim.

Hulumtimi gazetaresk që alarmoi shoqërinë

Image

Ndryshim solli edhe një hulumtim gazetaresk që shpërfaqi abuzime jo veç me buxhet publik, por edhe me shëndetin e qytetarëve. Juria në përbërje të Binak Kelmendit, Majlinda Bregasit e Imer Mushkolajt sivjet ka përzgjedhur që hulumtimi i gazetares së Grupit KOHA, Sarandaj Ramaj, të marrë shpërblimin për gazetari të shkruar “Rexha Surroi”.

Në emër të jurisë, Majlinda Bregasi ka thënë se nëpërmjet një serie shkrimesh janë shpërfaqur dyshimet për keqpërdorimin e miliona eurove të shtetit në emër të trajtimit të pacientëve të sëmurë shumë rëndë.

“Duke iu qasur hulumtimit në Fondin për sigurime shëndetësore, një institucion i mbyllur e jotransparent ndër vite, është arritur që opinioni të informohet detajisht se çfarë ka ndodhur me miliona euro të parasë publike”, ka thënë ajo.

I nisur në vitin 2021, sipas Bregasit, hulumtimi me titull “Abuzimet me fondin për trajtim jashtë vendit” është përmbyllur në maj të këtij viti duke zbuluar mënyrën e paligjshme të funksionit të programit për trajtim jashtë vendit. Ka treguar se ky program u ka paguar miliona euro spitaleve private për sëmundjet që nuk trajtohen në sistemin publik të Kosovës.

“Për shkak të keqmenaxhimit të fondeve në këtë institucion, aktualisht Kosova u ka borxh spitaleve turke rreth 30 milionë euro. Pas publikimit të hulumtimit prokuroria e shtetit ka nisur hetimet...”, ka thënë ajo.

E autorja e serisë së shkrimeve, gazetarja Saranda Ramaj, ka thënë se beson që në KOHË për këtë rast i kanë thënë të gjitha dhe u mbetet institucioneve përgjegjëse për ta adresuar, e hetuesisë të dalë së shpejti me rezultate konkrete.

“Jam shumë e lumtur për impaktin që ka pasur storia dhe sot janë bërë 75 ditë pa ministër të Shëndetësisë dhe duket se komplet sistemi shëndetësor është i injoruar për momentin nga Qeveria”, ka thënë ajo.

Një mozaik intrigues i historisë së shekullit XX

Image

Prej rrëfimit për keqpërdorime, atmosfera ka ndërruar ngjyra me promovimin e librit të gazetarit Enver Robelli, “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”.

Redaktorja dhe botuesja Flaka Surroi ka thënë se jeta është e paparashikueshme dhe sjell edhe befasi të këndshme, e këtë mbase më së miri do ta ilustronte pikërisht përurimi. Ka treguar se, sipas saj, bëhet fjalë për një vepër shumë të veçantë në gjuhën shqipe. Duke folur për përmbajtjen e librit, ka lexuar dy rrëfime mbresëlënëse.

“Më 30 prill 1945, rreth orës 22:40, trupat sovjetike arritën të depërtonin në kulmin e Reichstagut në Berlin. Grupi i ushtarëve kishte me vete një flamur të kuq, por s’kishte shtizë. E përdorën një qyng në vend të shtizës dhe e vendosën flamurin në një skulpturë gruaje. Kjo skenë mbeti e pafotografuar, sepse, me gjasë, aty s’qëlloi askush me aparat fotografik, andaj në mëngjesin e 2 majit fotografi Jevgeni Haldej e inskenoi edhe një herë ndodhinë e para 30 orëve: dy ushtarë sovjetikë ngritën në kulmin e Reichstagut përsëri flamurin e kuq sovjetik me drapër e çekan. Disa muaj më vonë Haldej e retushoi njërën nga dy orët në dorën e ushtarit që ngriti flamurin për të hequr dyshimet se bëhej fjalë për një orë të vjedhur. Në ato ditë vjedhja e orëve ishte veprimtari e preferuar e ushtarëve sovjetikë që po e pushtonin Berlinin...”. Pas leximit edhe të një tjetër rrëfimi, ka thënë se historitë e tjera në 240 faqet e veprës mund të lexohen këndshëm për festat e fundvitit.

“Apo, kurdo që doni të dëfreheni dhe që nëpërmjet kurioziteteve të kuptoni edhe për një pjesë të historisë së shekullit XX, e cila ka qenë aty, e mbase nuk e kemi ditur”, ka thënë Surroi.

Image

Vetë autori, i cili është redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, kolumnist e kontribuues në KOHA, ka thënë se historia e shekullit 20 nuk është vetëm histori e ideologjive të mëdha e luftërave, por edhe e rrëfimeve të vogla. Ka treguar se i ka bërë përshtypje se si mund të kuptohet krejt historia e Luftës së Ftohtë me botimin e romanit “Diktor Zhivago” të Boris Pasternakut. “Se si një komunist italian shkon në Moskë dhe interesohet për botime të reja në Bashkimin Sovjetik. E takon Boris Pasternakun, e merr dorëshkrimin dhe e sjell në Milano. Nga Milano e merr avionin për t’ia dërguar përkthyesit në Romë. Por, kur avioni ngjitet në 8 mijë a 10 mijë metra, piloti lajmërohet dhe thotë se fluturimi do të ndërpritet pasi do të aterrohet në Maltë. Kur aterrojnë në Maltë, futen disa agjentë të shërbimeve, e marrin dorëshkrimin, e kopjojnë për një orë e gjysmë dhe e dërgojnë te një shtëpi botuese në Hagë dhe romani botohet në rusisht në Hagë”, ka treguar ai pak nga vepra. Robelli ka ndarë po ashtu edhe një histori se si brenda pesë javësh shkrimtari me nam Franc Kafka, derisa po vuante nga gripi spanjoll, ishte qytetari i Perandorisë Austro-Hungareze e pasi ishte zgjuar nga gjumi i sëmundjes e kishte gjetur veten si qytetar i Çekisë.

“Provinca” që përmbys edhe figurën e nënës

Image

Edhe me një tjetër vepër janë ngacmuar të pranishmit gjatë ceremonisë. “Provinca” e Liridon Mulajt ka marrë shpërblimin për romanin më të mirë shqiptar për këtë vit, “Rexhai Surroi”.

Në emër të jurisë, Majlinda Bregasi ka thënë së njeriu i sotëm është i mbingarkuar me mitizime dhe çmitizime. Sipas saj, njeriu më shpesh sheh te nëna burimin e problemeve sesa të kundërtën. Ka thënë se kjo ka sjellë një përpështjellim të kësaj figure të rëndësishme për secilin.

“Cili është roli dhe funksioni i saj? Cilat janë pyetjet që pa e pritur ia kemi veshur nënës e ku gjenden kufijtë e projeksioneve të saj mbi fëmijët e vet. Ky raport kaq intim e kaq konfliktuoz që na vjen nga mitologjia botërore na tregon se sa i pazgjidhshëm mbetet ai deri më sot. Kalimi nga figura e nënës tek ai i partneres dhe anasjelltas është fillimi i rrëfimit që me mençuri, dije guxim, sinqeritet, talent, shumë talent, na vjen në romanin fitues”, ka thënë ajo.

E autori ka thënë se nuk e priste pasi e ka dërguar dorëshkrimin në ditën e fundit të periudhës sa ishte i hapur konkursi.

“Nuk e prisja. Kam dërguar dorëshkrimin në ditën e fundit të aplikimit. Ky është një lajm fantastik. Dua të falënderoj nga zemra jurinë dhe familjen Surroi. Mbetet vetëm të jem shumë mirënjohës ndaj jush. Prishtina dhe Kosova janë një shtëpi e parë për mua, pavarësisht që jetoj në Tiranë, sa herë vij, unë e ndiej veten si në shtëpi”, ka thënë ai.

Ceremonia është mbyllur me interpretimin e sopranos Arta Jashari, shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha. Jashari ka risjellë mjeshtërisht tri këngë të rralla të interpretuara dikur nga bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha.