Ndonëse Këshilli Prokurorial i Kosovës ka paralajmëruar sabotim e rebelim kundër Projektligjit për KPK-në, ky institucion ende nuk ka dhënë detaje se çfarë veprimesh do të ndërmarrë. Në Ministrinë e Drejtësisë kanë deklaruar se ky institucion ka qenë i përfshirë në hartimin e ligjit, e juristët i kanë quajtur të pamenduara mirë kërcënimet e këtij institucioni se nuk do ta zbatojnë ligjin
Dy opinione të Komisionit të Venecias nuk e kanë bindur Këshillin Prokurorial të Kosovës së Ligji i ri për këtë institucion paraqet reformë në drejtësi.
Pjesës më të madhe të anëtarëve të Këshillit aktual, me ligjin e ri do t’iu merret mandati.
E, kjo sipas një reagimi të KPK-së, do të hasë në rezistencë. Anëtarët e Këshillit kanë paralajmëruar kontestim të këtij ligji, por edhe mosdorëzim të mandatit, sepse, sipas tyre, një gjë e tillë është anikushtetuese.
KOHA ka katër ditë që ka provuar ta kontaktojë këtë institucion, por askush nga aty nuk është përgjigjur.
Reagimi ishte i ashpër.
“Meqenëse me këtë ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, Këshilli njofton se përveçse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij ligji, gjithashtu asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’iu nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias”, thuhej në reagimin e ditës kur kaloi në lexim të dytë Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në kabinetin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, janë shprehur të habitur me një reagim të tillë.
Shefi i kabinetit, Genc Nimoni, ka thënë se zyrtarët e këtij institucioni kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij ligji dhe se në draftin e fundit janë marrë parasysh edhe rekomandimet e tyre.
“Ne e pamë reagimin dhe me thënë të drejtën, reagimi na u duk i pazakontë. I pazakontë, sepse kalon një projektligj sipas të gjitha procedurave në lexim të dytë dhe pritet të hyjë në fuqi dhe një institucion i cili duhej të ishte shembull për zbatim të ligjit, të bëjë reagime të tilla, nuk kam koment”, ka thënë Nimoni.
Me gjithë kërcënimet e anëtarëve të KPK-së se nuk do të lejojnë t’u merret mandati, avokati Isuf Zejna ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur.
“Zbatimi i ligjit nuk është dhe as nuk mund të jetë çështje vullneti i asnjë zyrtari, e aq më pak i anëtarëve të Këshillit Prokurorial. Siç dihet, për hartimin e këtij projektligji ka lëshuar opinion edhe Komisioni i Venecias. Anëtarët e KPK-së kanë rrugë ligjore për të kontestuar nenet që konsiderojnë që janë kundërkushtetuese, por nuk mund të kërcënojnë se nuk do t’i përfillin obligimet që rrjedhin nga ky ligj”, ka deklaruar ai.
Genc Nimoni nga kabineti i ministres Haxhiu ka deklaruar që janë të përcaktuara afatet se kur do të bëhet riorganizimi i Këshillit Prokurorial. Se kush prej anëtarëve do ta humbë mandatin do të vendoset me short.
“Aty janë paraparë saktë afate se kur duhet të ndodhë procedura e aplikimit për anëtarë joprokurorë përmes Kuvendit, pastaj nga Avokati i Popullit, pastaj hedhja e shortit që realisht riorganizohet nga Këshilli Prokurorial në kuptim të këtij ligji”, është shprehur ai.
Ministria e Drejtësisë ka një vit që ka proklamuar ndryshimin e dy ligjeve bazike, atë për kryeprokuror të shtetit dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kësisoj, planifikohet që të rregullohet puna në KPK.
Kjo instancë i ka 13 anëtarë, tre prej të cilëve zgjidhen nga Kuvendi. E Qeveria e drejtuar nga VV-ja planifikon që KPK-ja t’i ketë shtatë anëtarë, shumica e të cilëve do të zgjidheshin nga Kuvendi. Nëse këto ndryshime ligjore nuk kontestohen në Kushtetuese dhe ky institucion nuk gjen shkelje, atëherë anëtarëve të KPK-së mund t’u shkëputet mandati në gjysmë
Aktualisht nga 13 anëtarë të KPK-së, 10 vijnë nga prokuroritë e tre janë zgjedhur nëpërmjet Kuvendit.
Ministrja Albulena Haxhiu në emisionin DESKU në KTV u ishte përgjigjur kritikave për ndryshimet ligjore që po planifikohen.
“Ne konsiderojmë që përbërja e KPK-së duhet të jetë katër prokurorë dhe tre joprokurorë, që zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës”, pati thënë ajo.