Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se pushteti në Kosovë “nuk i zë kurrë besnikët e VV-së” dhe se “ata tregtojnë lirshëm dhe rriten e bëhen dilerë të mëdhenj”, duke reaguar pas arrestimit të asamblistit të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci nën dyshime për trafikim droge në Tiranë.
Mujeci ishte në mesin e pesë të arrestuarve në Tiranë nën dyshimin për trafikim droge, kanë raportuar mediat në Shqipëri. Sipas Policisë, ky grup u kap me mbi 11 mijë doza droge, në vlerë prej 400 mijë eurosh.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese kush e përfaqëson votën e prishtinasve nga radhët e VV-së. Dejona Mihali besoj ka për të thënë diçka edhe për këtë. E presim edhe një supërparaqitje të Xhelal Sveçlës. Në Kosovë, besnikët e Vetëvendosjes nuk zihen kurrë, sepse pushteti i mbron. Ata tregtojnë lirshëm dhe rriten e bëhen dilerë të mëdhenj, si ky asamblist, saqë i kalojnë edhe kufijtë. Besoj, Besniku sot i ka bërë krenarë të gjithë Lëvizjen e tij, por jo edhe ata qytetarë të cilët, fatkeqësisht, ia kanë besuar votën!” ka shkruar Retkoceri në Facebook.