Arbëri

Rend i gjatë i pritjes për vaksinim në grupin e mbi 65-vjeçarëve

Rendi i gjatë i pritjes është shkaktuar në sallën “1 Tetori” në ditën kur është paraparë të nisë procesi i vaksinimit kundër COVID-19 të grupit të qytetarëve mbi 65-vjeç.

Sipas njoftimit të së martës nga Ministria e Shëndetësisë, prioritet do të kenë personat e regjistruar në “e-Kosova”.

Njoftimi theksonte se fillimisht do të vaksinohen personat nga rajoni i Prishtinës, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Drenasi e Lipjani. Vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë nga ora 08:00 deri në ora 19:30.

Ndërkohë të premten, nga ora 08:00 deri në ora 19:30, do të vaksinohen personat mbi 65-vjeçar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, si dhe në QKMF në të gjitha komunat.

Me të njëjtën grupmoshë do të vazhdojë vaksinimi edhe të shtunën.

Deri tash në Kosovë janë vaksinuar mbi 29 mijë qytetarë. Fillimisht prioritet kanë qenë punonjësit shëndetësorë dhe grupet më të moshuara si dhe ata me sëmundje kronike.

Të mërkurën pritet të arrijë një tjetër kontingjent vaksinash “AstraZeneca” nëpërmjet COVAX-it. Me 38 mijë e 400 dozat që pritet të arrijnë sot vaksinimi do të vazhdojë vaksinimi i qytetarëve në moshat mbi 65-vjeç.

Në planin shtetëror të vaksinimit pas personave mbi 65-vjeç dhe atyre me sëmundje kronike janë mësuesit dhe forcat e sigurisë të përfshira drejtpërdrejtë në menaxhimin e COVID-19.

Deri tash vendi vaksinimin e ka nisur dhe po e vazhdon vetëm me vaksina të ardhura si donacion, nëpërmjet COVAX-it dhe Bashkimit Evropian. BE-ja ka sjellë rreth 8000 nga 95 mijë të premtuara, ndërsa COVAX-i ka përfunduar 24 mijë, e sot shifra do të shkojë në 62 mijë total nëpërmjet kësaj aleance.

{gallery}