Vetëm gjysma e opinioneve të projektit të britanikëve për përzgjedhjen e kandidatëve për pozita të larta kanë qenë të njëjta me ato të vlerësuara nga vendorët.
Kështu tha ambasadori britanik, Nicholas Abbott, në një konferencë të organizuar lidhur me ecurinë e këtij projekti.
“Sigurisht se sistemi është i tillë dhe ka mospajtim mes panelit intervistues dhe ekspertëve tanë. Mënyra se si e kemi bërë programin është ashtu që Qeveria, Kuvendi, Presidenca apo kushdo që është i përfshirë në këtë proces rekrutimi të jetë i përgjegjshëm dhe transparent për emërimet që bëjnë. E, po sigurisht, si përmendësh mund të them që në 50 qind të rasteve ka pajtim në sistemin duel. Ajo çka ka rëndësi është që secilën herë, autoriteti relevant merr përgjegjësinë për emërimin dhe për transparencën”, tha Abbott.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti e zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, të cilët si kontribut të Qeverisë për sektorin e shërbyesve civilë e kanë përmendur draftimin e Ligjit për paga dhe atë për shërbyesit publikë.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka rishikuar rrënjësisht Ligjin për zyrtarët publikë dhe ka hartuar nga fillimi Ligjin për paga në sektorin publik, për t’iu përshtatur aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Përveç aktvendimit, arsye tjetër po aq e vlefshme për rishikimin e hollësishëm të Ligjit për zyrtarët publikë janë problemet e shumta të hasura në zbatimin e tij nga institucionet e Republikës së Kosovës. Me këtë ligj ne synojmë ta departizojmë administratën publike, ta profesionalizojmë atë dhe të sigurohemi që po funksionon bazuar në parimet të cilat porsa i përmenda”, tha Kurti.
“Me rishikimin e Ligjit për zyrtarët publikë ne jemi duke e ndryshuar qasjen ndaj administratës publike. Administrata publike nuk është, me thënë të drejtën, adresa për të akomoduar me vende pune, për të shpëtuar nga papunësia dikë që ka mbetur në familje a fis pa u punësuar. Qeveria jonë e ka prioritet punësimin, por bashkë me të prioritet e ka edhe drejtësinë”, tha Dobra.
Deputetët e opozitës janë ankuar për mospunë nga Qeveria dhe për shpërfillje të ekspertëve britanikë, gjatë procesit të rekrutimit për pozitat e larta, si ato të sekretarëve të përgjithshëm.
“Qe dy vjet gati po i bën Qeveria e Republikës së Kosovës, më intereson ta di sa ministri i keni, ose sa sekretarë i keni me ushtrues detyre. Domethënë i mbani tre muaj, i mbani gjashtë muaj, i hiqni ata, i ndërroni e i vendosni të tjerë, ndërsa nuk keni sekretarë nëpër ministri të cilët e kryejnë punën. Vetë fakti që sekretarët e ministrive ndërrohen çdo tre muaj e çdo gjashtë muaj, nuk ka produktivitet në atë punë, sepse nuk i vazhdojnë proceset aty ku kanë mbetur, por fillojnë pastaj me rokada të ndryshme”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
“Keni pasur një tentim të përzgjedhjes së sekretarëve dhe, për shembull, në Ministri të Punëve të Brendshme nuk ka kaluar asnjë kandidat. Tash e verifikova prapë me këtë adresën që e patëm këtu dhe e pashë që në muajin shtator të vitit të kaluar nuk ka kaluar asnjë kandidat për sekretar të Punëve të Brendshme, mirëpo është emëruar kandidati që s’ka kaluar fare. Mund ta kuptoj kur ka vlerësime të ndryshme, por s’mund ta kuptoj një kandidat që nuk kalon te projekti dhe pastaj të emërohet sekretar, i cili në fakt s’ka kaluar”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
Sipas Ambasadës britanike, ky projekt është unik edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka qenë kërkesë e vetë qeverive që nga viti 2016 e tutje.
Kjo formë e përzgjedhjes së kandidatëve në pozita të larta tregon përkushtim të spektrit politik, të shoqërisë civile e mediave për transparencë.
Fundi i programit është i paraparë të jetë në vitin 2024, porse nga folësit e audienca kanë ka pasur kërkesa për vazhdimin e tij.