Ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, tha se nëse Bashkimi Evropian nuk i rishqyrton politikat e saj për zgjerim, më shumë vende evropiane mund të bien pre e agresionit rus.
Në një opinion të publikuar në Geopolitical Intelegency Services (GIS) të martën, Reka tha se pushtimi rus do të ndikojë që kërkesa e Ukrainës për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, të merret parasysh, para Moldavisë e Gjeorgjisë.
“Edhe pas dy dekadash, perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor mbeten të paparashikueshme. Në vendet kryesore të BE-së, vetëm 20-30 për qind e qytetarëve janë në favor të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit, krahasuar me 42-60 për qind për Ukrainën”, shkroi ai.
Sipas Rekës, për shkak të pushtimit rus, BE-ja do ta vlerësojë qëndrimin e vendeve aplikuese ndaj Moskës zyrtare. Provë e parë, sipas tij, është Serbia, “e cila po negocion anëtarësimin, por është më pak e përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.
“Beogradi nuk ka vendosur sanksione ekonomike kundër Kremlinit dhe blen armë si nga Rusia, ashtu edhe nga Kina. Nëse Brukseli është serioz për futjen e një 'klauzole të Rusisë', do të duhet të ndalojë së toleruari një sjellje të tillë”, shkroi ai.
Edhe
Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor esencial për sigurinë afatgjate të BE-së
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare shkroi se zgjerimi i BE-së do të shndërrohet në një proces gjithnjë më gjeopolitik, ndërsa ky institucion evropian do ta rrisë ndikimin e tij global.
“Pas valëve të zgjerimit të 2004-s dhe 2007-s, BE-ja miratoi një qasje më kufizuese ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Dy dekada më vonë, vetëm një shtet - Kroacia - i është bashkuar, në vitin 2013. Megjithatë, me Ukrainën, në rrugën e shpejtë të anëtarësimit, BE-ja mund t'i përfshijë shtetet e Ballkanit në këtë raund të ri të zgjerimit”.
Për Rekën, Kosova dhe Serbia kanë orientime të ndryshme strategjike. Ai tha se Beogradi mbetet mbështetësi kryesor i Rusisë në rajon e më “euroskeptiku”.
“Në 11 vjetët e fundit, Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar mes tyre me rezultate të dobëta. Rizgjedhja e presidentit Aleksandër Vuçiq, nuk ka gjasa t'i çojë gjërat përpara, veçanërisht duke marrë parasysh blerjet e armëve nga Rusia dhe Kina dhe rimilitarizimin e Serbisë”.
Sipas Rekës, BE-ja ka dështuar të ndërmjetësojë mes Bullgarisë e Maqedonisë së Veriut, pasi shteti i parë është vend anëtar i BE-së dhe po e bllokon të dytin të pranohet
“Që nga vetoja e parë në vitin 2019, Maqedonia e Veriut ka humbur 260 milionë euro nga fondet e BE-së, të përcaktuara për negociatat e anëtarësimit. Edhe me një qeveri të re në Sofje, vetoja ka të ngjarë të mbetet në fuqi dhe pavarësisht presionit nga Brukseli dhe Uashingtoni, ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Genchovska, ka thënë se nuk pret që të gjendet një zgjidhje gjatë udhëheqjes franceze të BE-së”.
Ai shkroi tutje se nëse qeveria bullgare nuk ndalon së bllokuari Maqedoninë e Veriut, procedura e anëtarësimit së Shqipërisë do të mund të shkëputet.
Edhe
Stagnimi në integrim i atribuohet Ballkanit, edhe BE-së
Sipas tij, pos Rusisë, edhe Kina paraqet një sfidë të madhe për Bashkimin Evropian.
“Pekini është miqësor me Moskën, por gjithashtu dëshiron t'i mbrojë interesat e saj duke ruajtur aksesin në tregjet e BE-së. Sfida e ardhshme e zgjerimit të BE-së do të jetë Turqia, pozita ndërkombëtare e së cilës kohët e fundit, është rritur me ndërmjetësimin e saj gjatë luftës në Ukrainë. Presidenti turk, Erdogan, ka kërkuar që BE-ja të rihapë procesin e negociatave të anëtarësimit, që filloi në tetor të 2005-s, por u pezullua që nga 2016-a, për shkak të ndalimit të të burgosurve politikë nga Ankaraja”.
Ish-ministri në Qeverinë Kurti 1, theksoi se zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është i varur nga reforma e brendshme e BE-së.
"Jo vetëm që ka një debat të vazhdueshëm për të ardhmen e BE-së, me ide të reja që shfaqen si 'komuniteti politik evropian' i presidentit Macron, por ka gjithashtu një kërkesë të re të sundimit të ligjit, që shtetet anëtare të marrin fonde”.
Në këtë situatë, sipas Rekës, janë dy skenarë: njëri optimist e tjetri pesimist.
Opsioni optimist është që pushtimi i Ukrainës t'ia mësojë BE-së rreziqet e lënies së vendeve jashtë grupit euroatlantik.
Edhe
Reka: Brukseli po zgjeron hendekun mes BE-së e Ballkanit
"Mund të shtyjë BE-në të përshpejtojë procesin e anëtarësimit për Ukrainën dhe t'i përfshijë vendet e Ballkanit që dënojnë agresionin rus".
E opsioni pesimist, sipas tij, është që lufta në Ukrainë ta shtyjë zgjerimin e BE-së, "duke përqendruar angazhimin diplomatik dhe burimet financiare në konfliktin e armatosur". Sipas tij, kjo është e mundshme nëse Rusia pushton vende të tjera.