Sofje, 15 nëntor - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në Samitin e organizuar nga komisionerja për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel “Startup Europe Summit”, të mbajtur në Sofje.
Në panelin për përmirësimin e kushteve dhe kornizës ligjore për ndërmarrje të reja, zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes inovacionit, si dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke krijuar qasje më të lehtë në financa dhe duke krijuar bazën ligjore që siguron lehtësira për të rinjtë që kanë ide kreative që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kosova është e përkushtuar të jetë në hap me trendet e fundit të zhvillimit ekonomik përmes inovacionit dhe digjitalizimit, për çka edhe jemi duke u angazhuar vazhdimisht për krijimin e kushteve dhe lehtësirave si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana financiare”, citon njoftimi për media zëvendëskryeministrin Hoxhaj. Sipas tij pengesë e madhe për ndërmarrësit në Kosovë, e veçmas për ndërmarrësit e rinj, është mungesa e lirisë së lëvizjes për shkak të regjimit të vizave. Bashkimi Evropian duhet të marrë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha ai, duke theksuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara në këtë proces.
Në këtë samit morën pjesë edhe përfaqësues të Qendrës për Inovacion në Kosovë, si dhe ndërmarrës të shumtë nga Kosova.