20:37 - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate deklarohen pro reformës zgjedhore.
Blerim Kuçi i AAK-së, në Rubikon të KTV-së, bëri të ditur se reforma zgjedhore do të jetë temë diskutimi në tryezën me partitë politike, kur ajo të thirret nga kjo parti.
“Në tryezën e radhës, kur t’i vijë koha AAK-së, temë do të jetë reforma zgjedhore”, ka thënë ai.
Ndërsa Haxhi Shala nga Nisma tha se ky proces është më se i nevojshëm.
Ai theksoi se ka shumë pika tjera që mund të ndryshohen dhe jo vetëm ajo që ka ngritur presidenti Hashim Thaçi.
“Ne duhet të kemi, ka parregullsi në zgjedhje dhe duhet të ketë reformë zgjedhore. Ka shumë pika që mund të ndryshohen dhe jo vetëm të ndryshojë ajo që do Thaci, në zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Shala.
Vetëvendosje thotë se s’është momenti për reformë zgjedhore
20:29 - Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson se tash nuk është momenti për reformë zgjedhore në vend.
Sipas kësaj partie, ka aspekte që mund të adresohen dhe ka hapësirë për rregullimin e tyre edhe pa reformë.
“Nuk është momenti për reformën zgjedhore sepse është propozuar nga koalicioni qeverisës, për të mos thënë mazhoranca pasi s’janë shumicë. Ka aspekte që mund të adresohen dhe ka hapësirë që mund të rregullohen edhe pa reformë”, ka thënë Adnan Rrustemi në Rubikon të KTV-së.
Mungesa e vullnetit politik ka shtyrë reformat zgjedhore
Shumë tentativa për reformën zgjedhore tash e sa vite kanë dështuar dhe kjo sipas përfaqësuesve të partive politike ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së vullnetit politik.
Florian Dushi në Rubikon të KTV-së theksoi se qëndrimi i LDK-së vazhdon të jetë insistues në bërjen e kësaj reforme. Ai përmendi përpjekjen e presidentit të vendit, Hashim Thaci, e cila sipas tij ishte e çuditshme. Kjo sepse, sipas Dushit, ai po mundohej që këtë proces ta çojë përpara përmes një modeli burokratik dhe jo t’ua linte subjekteve politike.
Sipas Dushit, kjo çështje u përket subjekteve politike dhe madje këtë e tregojnë të gjitha praktikat.
Shqipe Pantina nga PSD përmendi punën e KQZ-së, për çka tha se shumë nga rregullat e tyre duhet të bëhen ligje.
“Ka nevojë për ndërhyrje, dhe këtu pajtohemi, që duhet të bëhet një kod zgjedhor. Shumë nga rregullat që nxiren nga KQZ mendoj që duhen të bëhen ligje. KQZ ka më shumë rol administrativ”, ka thënë Pantina.