Në kohën kur thirrjet e partive opozitare për zgjedhje të parakohshme janë shtuar, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, kërkon pajtim të gjerë politik për reformën zgjedhore.
Përfaqësues të shoqërisë thonë se sa herë partitë nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje, nisin kërkesat për reformë, raporton KTV.
Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, thotë se partitë politike duhet të jenë serioze në këtë temë, e jo ta përdorin si kartë për të prolonguar procese.
Ndërkohë, Artan Murati nga KDI-ja, thotë se vetë partitë në pushtet nuk kanë pasur interes për reformë, sepse kanë shfrytëzuar gjithçka për të përfituar vota.
Ai në këtë mes sheh edhe rivalitet mes Thaçit e Veselit, por thotë se edhe lideri i PDK-së do ta ketë të vështirë t’i bëjë bashkë të gjitha partitë politike për këtë çështje.
Një nga pikat e marrëveshjes së liderëve më 2011-n, kur Atifete Jahjaga ishte zgjedhur presidente koncensuale, ishte renditur përfundimi i reformës.
Për këtë kishte edhe Komision të veçantë, por që punoi e i skadoi mandati, duke u bllokuar herë nga PDK-ja, herë nga LDK-ja, e kjo e fundit ishte tërhequr tërësisht nga Komisioni.
Ndërkohë më 2014, Kuvendi i Kosovës kishte kaluar në parim ndryshimet në ligjin për zgjedhje, e të cilat u quajtën vetëm kozmetike, por që kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, besonte se do të përfundonte.
Në një pozicion tjetër, si president, Hashim Thaçi nisi një tentativë për t’i bërë bashkë të gjithë liderët për reformën, por nuk pati rezultate konkrete.