Profesori universitar, Muhamet Qerimi, po e kritikon Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT) se pa të drejtë e ka vendosur emrin e tij si recensent në njërin nga tekstet e reja shkollore që ai nuk e rekomandoi për botim.
Qerimi ka qenë recensent i tekstit të “Historisë 6” në konkursin e shpallur këtë vit nga MASHT-i. Në raportin vlerësues ai ka rekomanduar që ky tekst të mos botohet, me pretendimin se ka gabime të shumta profesionale, shkencore e didaktike.
Megjithatë, në këtë libër shkollor të botuar javë më parë figuron emri i tij si recensent. Qerimi javën e kaluar ka bërë kërkesë në MASHT që t’i hiqet emri nga libri. Letrën ua ka drejtuar ministrit në largim, Shyqiri Bytyqi, sekretarit të Ministrisë, Ekrem Kastrati, dhe Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSh).
Qerimi ka deklaruar për Kohën Ditore se emri i tij si recensent në një libër që ka gabime të shumta e dëmton imazhin e tij si profesor universitar. Nëse kërkesa e tij nuk merret parasysh, ka thënë se do të konsultohet me profesionist dhe të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe kryetari i KEPTSHT, Ferim Gashi, nuk i janë përgjigjur gazetës tash e disa ditë përse u shkrua emri i recensentit Qerimi në tekstin e historisë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)