Arbëri

Kundërshtohet heqja e emrit Hasan Prishtina nga emërtimi i UP-së

Me aksion simbolik, përfaqësues të disa fondacioneve dhe historianë shprehën kundërshtimin për shqyrtimin që po bëhet në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës që këtij institucioni të arsimit të lartë t’i rikthehet emërtimi origjinal.

Në një deklarim publik, rektori Qerim Qerimi pati thënë se emri “Hasan Prishtina” që i është vendosur 11 vjet më parë, ka gjeneruar konfuzitet në sferën ndërkombëtare, duke u kualifikuar në raste edhe si dy universitete të ndryshme.

Por në rast të miratimit të propozimit për heqjen e këtij emërtimi, drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina, paralajmëroi se do të kërkohet shkarkimi i rektorit Qerimi.

“Arsyetimi i rektorit se kjo çështje shkakton konflikt apo shkakton probleme në rangimin ndërkombëtar të punimeve shkencore është i pa bazë. Lidhur me këtë argumentim, unë jam duke u marrë prej vitit 2013, kur rektori e ka shfaqur këtë indinjatë, këtë pakënaqësi të emërtimit… Pra, rektorit sot kemi ardhur me i thënë stop, mos na prek Hasan Prishtinën… Një nismë e një rektori të porsazgjedhur duhet të përfundoj me largimin e tij, sepse e ka nis mbrapsht reformën”.

Idenë e ka kundërshtuar edhe profesori nga Kukësi, Shefqet Hoxha.

“Të heqësh emrin e Hasan Prishtinës për mua është një çmenduri, sepse është ndër figurat më të shquara të Kosovës dhe ndër figurat më të shquara të gjithë Shqipërisë. Ata që e kanë menduar këtë mua më duket se kanë gabuar rëndë dhe unë e kam një bindje se populli i Kosovës, populli i Kukësit nuk do ta pranojë këtë gabim fatal që t’i bëhet”.

E Bujar Dugolli, profesor në Fakultetin Filozofik, thotë se shqyrtimi i idesë për heqjes së emrit “Hasan Prishtina” është absurd.

“Ne e kemi pasë emërtime në të kaluarën mbi emrat e okupatorëve të rrugëve e të institucioneve dhe i kemi larguar ato. Por nuk mund të largohen emrat e patriotëve, e intelektualëve që tërë jetën e kanë shkri për atdheun, tërë pasurinë e kanë shkri për arsimin dhe del dikush të jep ide koti se po e pengon universitetin në rangime ndërkombëtare. Kjo është absurd, nëse kanë shkaqe të tjera, le t’i prezantojnë”.

Në Rektorat, gjatë ditës, nuk i kanë komentuar pakënaqësitë dhe thirrjet e pjesëmarrësve në aksionin simbolik.

Ndryshimi dhe plotësimi i statutit për ngritjen e cilësisë dhe ndërkombëtarizimin e UP-së, ka qenë një prej prioriteteve që rektori Qerimi i ka shprehur që nga marrja e detyrës, në nëntor të vitit të shkuar.