Pas raportimit të KOHA.net, Komuna e Kamenicës, e ka anuluar tenderin për furnizim me oksigjen.
Javën e kaluar KOHA ka raportuar se Komuna e Kamenicës kishte nënshkruar kontratë për furnizim me oksigjen për pacientë, me një kompani që merret vetëm me prodhimin e oksigjenit e llojeve të tjera të gazit industrial.
Disa ditë më pas, Komuna e Kamenicës, ka njoftuar se tenderi është anuluar pasi e ka kuptuar që kompania e cila ka fituar tenderin, nuk ka leje për oksigjen mjekësor.
“Për shkak të mungesës së informacionit nga A.K. se O.E. i propozuar për nënshkrim të kontratës nuk posedon Licencë për tregtimin e Oksigjenit për nevoja mjekësore, AK vendosi të anulojë këtë Njoftim për dhënie të kontratës”, thuhet në njoftimin për anulimin e tenderit.
Brenda disa javësh, ky është tenderi i tretë për oksigjen, që anulohet pas raportimit të KOHËS.
Tri komuna patën zgjedhur për furnizim kompani të palicencuara për oksigjen mjekësor, por në vend të tij do t’i furnizonin spitalet ose QKMF-të me oksigjen industrial.
Në vitin 2017, në SHSKUK pati ndodhur skandali me furnizim të gazit mjekësor nga një kompani që merrej me gaz industrial. Dyshimet e atëhershme ishin se 4 persona kanë vdekur si pasojë e oksidulit të palicencuar nga AKPPM-ja.
Në Kosovë janë vetëm dy kompani, të cilat kanë leje të merren me oksigjen.