Arbëri

Raporti vjetor i PE-së bën thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga dialogu

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e prezantoi të martën draftraportin për Kosovën, në të cilin është përsëritur thirrja adresuar Kosovës dhe Serbisë për qasje konstruktive në dialog, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese, bazuar në njohjen e ndërsjellë. Në tekstin e draftit të raportit është bërë gjithashtu thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Krahas kësaj, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe u është bërë thirrje pesë vendeve mosnjohëse për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Në Parlamentin Evropian është paraqitur drafti i raportit vjetor për Kosovën, i përpiluar nga raportuesja Viola von Cramon. Në këtë tekst, në përgjithësi përsëriten disa elemente të përfshirë edhe në raportin e fundit, por edhe elementet dhe zhvillimet që kanë ndodhur ndër kohë.

Në këtë tekst mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që sipas tekstit, reflekton orientimin proevropian të qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik të vendit.

Në të njëjtin tekst përsëritet edhe thirrja për pesë vendet anëtare të BE-së që s’e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. Thirrje të tillë PE-ja përsërit çdo vit në secilën rezolutë për Kosovën. Në tekstin e këtij draftraporti po ashtu mirëpritet edhe marrëveshja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Parlamenti evropian gjithmonë ka insistuar që kjo të ndodhë sa më shpejt. Tash mirëpritet marrëveshja që është arritur në mes të Parlamentit dhe Këshillit të BE-së dhe tash ka mbetur vetëm pjesa formale që ky vendim të bëhet zyrtar në mënyrë që të hyjë në fuqi më 1 nëntor nëse deri atëherë do të jetë i gatshëm sistem ETIAS-, ose jo më vonë se 1 janari 2024.

Në raport përsëritet thirrja për Kosovën dhe Serbinë që të kenë qasje konstruktive në dialog që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme e bazuar në njohje të ndërsjellë dhe po ashtu bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash në dialog, përfshirë atë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tash pritet që deputetët të paraqesin amendamentet e tyre në këtë draft të raportit e pastaj do të diskutohet e votohet së pari në Komisionin e Politikës së Jashtme e pastaj edhe në seancë plenare të Parlamentit Evropian.