Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramaj: Në Gdansk ka një solidaritet të jashtëzakonshëm për refugjatët nga Ukraina

Gazetarja e Grupit KOHA, Saranda Ramaj, ka treguar se si në qytetin polak Gdansk ka një solidaritet jashtëzakonisht të madh për refugjatët nga Ukraina.

Ajo ka treguar se në këtë qytet janë disa pika të pritjes, ndërsa pritja fillon nga stacioni i trenit.

“Ka shumë pika të pritjes. Fillon nga stacioni i trenit, ku zbresin refugjatët. Sheh në rrugë vullnetarë, flamuj të Polonisë e Ukrainës së bashku. Është një solidaritet tejet i lartë. I vizituam disa nga pikat ku qëndrojnë refugjatët nga Ukraina. Atyre u ofrohet ushqim i nxehtë, numra të telefonit e pastaj tentohet t’u bëhet zgjidhje banimi”, tha Ramaj në një lidhje direkte nga Polonia në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Ramaj gjendet në qytetin polak Gdansk ku mori pjesë në një konferencë dyditore që ka të bëjë me gjendjen e gazetarëve në Evropë. Ajo ka treguar edhe për situatën e gazetarëve ukrainas dhe rusë.

“Pashmangshëm në konferencë fokus ka qenë gjendja e gazetarëve në Ukrainë, dhe i gazetarëve në Rusi për shkak të masave që po merr Qeveria ruse ndaj gazetarëve për të mos treguar realitetin se çfarë po ndodh në Ukrainë. Ka pasur gazetarë nga këto dy shtete, por edhe nga shtetet tjera të Evropës. Kemi biseduar me gazetarë ukrainas dhe gazetar rus, e ka dy të vërtetë të ndryshme, siç e quajnë ata. Kemi parë gjendjen e gazetarëve nga Ukraina, ata ndodhen në listën e gazetarëve të rrezikuar, autoritetet vendore u kanë kërkuar të largohen nga vendi pasi rrezikojnë të kidnapohen e vriten për shkak të aktivizmit tejet të lartë pro-ukrainas. Kemi gazetarë rusë që janë të shtypur e nuk mund të flasin realitetin”, ka thënë Ramaj.