Arbëri

Ramadani për linë e majmunëve: Rrallë përfundon me vdekje

Infektologu Hamdi Ramadani, ka thënë se lija e majmunëve, e cila ka nisur të përhapet në shumë vende të botës, përfundon në raste shumë të rralla me vdekje.

Në emisionin “SOT” në KTV të martën, Ramadani ka thënë se kjo sëmundje është rikthyer pas gati gjysmë shekulli, derisa ka shtuar se nuk është një sëmundje që duhet të ngrejë shqetësim të madh.

“Lija e majmunëve, do të jetë një sëmundje infektive më pak serioze, më e moderuar, me një simptomatologji më të lehtë, temperatura paraqitet pas një faze inkubacioni deri në 39 gradë celsius, dhe më vonë shfaqen simptomat tjera si ethe, dridhje e trupit, kanë dhimbje të nyjave, të kokës, lodhje dhe plogështi dhe pas 2-3 ditëve paraqitet ënjta e gjëndrave dhe paraqitja e ndryshimeve në lëkurë në formë të njollave të cilat janë të skuqura dhe që fillojnë nga fytyra. Krejt ecuria e sëmundjes zgjat diku 2-3 javë, shumë rrallë paraqiten ndërlikime dhe vdekshmëri. Sëmundja e ka ecurinë e mirë”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) deri tani nuk kanë paraqitur udhëzime për marrjen e ndonjë mase për izolim, ndonëse Belgjika ka nisur karantinimin e njerëzve të prekur.

“Edhe vendi ynë me autoritet shëndetësor e kanë rritur atë që quhet vigjilencë të një përkujdesje të shtuar, me një mundësi që në ditët ose javët e ardhshme edhe vendi ynë mund të regjistrojë raste. Lija e majmunëve nuk ka diçka të madhe që mund të bëhet në kuptimin e marrjes së ndonjë mase sepse OBSH-ja dhe CDC-ja nuk kanë paraqitur ndonjë masë për izolim, prandaj në këtë kuptim nuk ka kufizime. Belgjika rastet që janë të sëmurë i ka futur në karantinë. Një kujdes i shtuar i organeve tona është i domosdoshëm por masa specifike aktualisht nuk ka”, është shprehur ai.

Lia e Majmunëve për herë të parë është paraqitur në vitin 1958 te majmunët, ndërkaq te njerëzit për herë të parë është identifikuar në vitin 1970.