Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramadani paralajmëron për rikthim të mundshëm të masave

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani e ka paralajmëruar rikthimin e mundshëm të masave, po qe se vazhdon gjendja aktuale, e lidhur me numrin gjithnjë e më të madh të rasteve me koronavirus. Këtë paralajmërim ai e ka bërë gjatë një vizite në pikën kufitare në Vërmicë, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Zemaj, Ramadani, ushtruesja e detyrës së kryeinspektores shëndetësore Nora Krasniqi dhe kryeinspektori i AUVK, Ibrahim Tërshnajku e kanë vizituar të hënën, pikën kufitare me Shqipërinë, në Vërmicë, raporton KOHA.

“Nëse e shohim se qytetarët nuk janë vetëdijësuar dhe nuk e ruajnë shëndetin dhe kërcënojnë gjendjen, sikur që është rasti me rritjen e rasteve në ditët e fundit, ne duhet t’i rikthejmë masat, t’i rikthejmë qytetarët në shkollë të vetëdijësimit edhe njëherë për t’i ushtuar se si duhet t’i respektojnë rekomandimet. Nëse i përmbahen rekomandimeve do të jenë të lirë të lëvizin ku të dojnë. Por, duke ruajtur shëndetin, duke respektuar rekomandinet dhe patjetër duke mbajtur maskat, sepse virusi është akoma këtu”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka shprehur drojën se shkaku i pakujdesisë së qytetarëve, në Kosovë mund të pësojnë shumë viktima të pafajshme.

“Virusi nuk e ka intensitetin e njëjtë, por virusi nëse e merr një organizëm, një qytetar, i ka të njëjtat pasoja sikur në fillim, sikur më vonë. Ne duhet të kujdesemi. Duhet të mësohemi me normalitetitn e ri, duhet të sillemi ndryshe. Kjo sjellje ndryshe nuk është e pamundur. Është e mundur nëse mbajmë distancë, maska dhe higjienën. Pa to do të na rikthehet gjendja. Problemi është se rikthimi i gjendjes do të shkaktojë viktima. Ne do të kemi viktima të pafajshme për shkak të pakujdesit të qytetarëve”, ka thënë ai.

Zemaj ndërkaq, gjatë kësaj vizite të paralajmëruar më herët ka thënë se ka ardhur që të shohë për së afërmi çështjen e lëvizjes së lirë.

“Ju kisha lutur edhe juve dhe gjithë atyre që hynë në Kosovë që të përçoni mesazhin e respektimit të masave, masave konkrete të vëna nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, ashtu edhe Qeveria e Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Artikuj të ngjashëm