Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama thotë se SPAK-u ka bllokuar transaksionin për pronën ku planifikohet resorti në Zvërnec

Zvërnec

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se prokurorët kundër korrupsionit kanë bllokuar një transaksion prone të lidhur me projektin turistik në Zvërnec, pranë Vlorës, por këmbënguli se investimi nuk do të ndalet.

Rama tha se e mirëpret hetimin e nisur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, lidhur me origjinën e pronës ku planifikohet projekti. Por, ai e cilësoi “arbitrar dhe negativ” bllokimin e transaksionit për blerjen e pronës nga investitorët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Duke folur në një konferencë për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Rama tha se çështja duhet ndarë në dy pjesë: hetimi për origjinën e pronës dhe bllokimi i transaksionit të investitorëve.

“Pjesa pozitive është hetimi mbi origjinën e një pasurie, për sa kohë ky është një problem i ngritur, me apo pa të drejtë dhe i shumëpërfolur”, tha Rama.

Sipas tij, pjesa “e shëmtuar” lidhet me atë që ai i quajti “zëdhënës të vetofruar”, të cilët, siç tha, po shpërndajnë “gjysmë të vërteta”.

“Investitorët që sot janë zotëruesit e pronës sipas legjislacionit shqiptar, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm. Burimet financiare për të përcjellë pagesën te zotëruesit e pronës kanë rezultuar totalisht legale”, tha Rama.

Ai shtoi se bllokimi i kalimit të parave te personi për të cilin ka dyshime është çështje që i takon organit hetues, por tha se investitorët “janë në të drejtën e tyre”.

“Bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ. Bllokimi i kalimit të parave te pronari, për të cilin ka dyshime, është çështje në të drejtën e organit hetues”, tha Rama.

SPAK-u nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar për hetimin, e as nuk ka konfirmuar nëse ka bllokuar ndonjë transaksion të lidhur me pronën ku pritet të zbatohet projekti në Zvërnec.

Zyra për media e SPAK-ut i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka koment për deklaratën e kryeministrit Rama.

Rama tha se e konsideron hetimin pozitiv, sepse, sipas tij, investimi mund të vazhdojë me pronarët e rinj të ligjshëm, ndërsa kushdo që eventualisht dëshmohet se ka të drejta mbi pronën, mund të marrë paratë.

“E konsideroj pozitive, sepse investimi vazhdon me pronarët e vet të rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën e asaj prone mund të marrin paratë”, tha Rama.

Banorë të fshatit Zvërnec kanë thënë për REL-in se janë të përfshirë në një kontest gjyqësor me një biznesmen nga Vlora, lidhur me pronësinë e tokës, për të cilën pretendojnë se u është marrë padrejtësisht.

Kush janë blerësit?

Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec rezulton të jetë kompania “Albania Land Development”, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri më 27 maj 2025.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

Më 29 maj, Këshilli Kombëtar i Territorit dha leje për “kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone, me vendndodhje në Zvërnec”.

Leja i është dhënë shoqërisë “Zvërnec South Adriatic Development”, në cilësinë e zhvilluesit të punimeve përgatitore për rrugët e aksesit.

Banorë të Zvërnecit, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri po e kundërshtojnë projektin, duke thënë se ka paqartësi lidhur me pronën, investimin dhe personat e përfshirë.

Ditët e fundit janë mbajtur disa protesta, në të cilat është kërkuar anulimi i projektit dhe dorëheqja e kryeministrit Rama.

Rama ka mbrojtur projektin dhe tha se ai nuk do të anulohet për sa kohë është kryeministër.

Organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e projektit përmes një peticioni online.

Zona ku kanë nisur punimet është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Organizatat mjedisore e konsiderojnë atë një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për shpendët e ujit dhe ata migratorë, përfshirë flamingot.

Projekti ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të deklarimeve të mëhershme të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Në atë kohë, Rama tha se Qeveria kishte marrë kërkesë vetëm për investim në ishullin e Sazanit, jo në Zvërnec. Por, këtë javë, ai tha se një kërkesë për Zvërnecin ishte paraqitur që në vitin 2023.

Kompania e Kushnerit mori statusin e investitorit strategjik në dhjetor të vitit 2024 për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Rama.

Sipas raportimit të The New York Times, pjesëmarrja e Kushnerit në projekt do të bëhej përmes firmës së tij investuese, Affinity Partners, e cila ka 2 miliardë dollarë financim nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite, si dhe nga investitorë të tjerë të huaj.

Sa i përket Zvërnecit, Rama tha të martën se Kushner “nuk ka bërë kërkesë për të qenë investitor strategjik”.

“Nuk është investim strategjik. Nuk ka bërë kërkesë për t’u bërë investim strategjik ende, por mund ta bëjë. Nuk ka bërë asnjë kërkesë për investim strategjik. E dini pse? Sepse mbase nuk kanë fare nevojë për këto incentivat tona, pasi do të sjellin 4 miliardë euro në Shqipëri”, tha Rama. /REL