Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar jehonën ndërkombëtare që kanë marrë protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke thënë se vëmendja globale nuk erdhi për shkak të shqetësimeve për lagunën e Nartës, por për shkak të përfshirjes së emrit të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Dje ishte dita e 20-të radhazi e protestave kundër projektit të paraparë në zonën e Zvërnecit, ndërsa protestuesit shprehin shqetësime për ndikimin që mund të ketë në mjedis dhe në ekosistemin e lagunës së Nartës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë fjalimit pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama ka thënë se ngjarjet e fundit janë bërë pjesë e një debati global, jo për shkak të fatit të flamingove apo të Nartës, por për shkak të lidhjes së projektit me Kushnerin.
Sipas tij, nëse e njëjta histori do të kishte ndodhur dhjetë vjet më parë, ajo do të kishte mbetur një debat brenda Shqipërisë. Rama ka thënë se brenda 48 orësh, incidenti mes rojeve private dhe një protestuesi u shndërrua në pikënisjen e një “lufte globale”.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushnerit dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urren për vdekje krejt armata globale online”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se shumë aktorë ndërkombëtarë e panë situatën si një mundësi për të sulmuar Trumpin, duke pretenduar se “kujtoi se gjeti në bulevardin e Tiranës Vaterlonë e Trumpit”.
Rama theksoi se rasti është interesant jo aq për atë që tregon për qeverisjen në Shqipëri, por për mënyrën se si debatet lokale mund të marrin përmasa globale në epokën e rrjeteve sociale dhe polarizimit politik ndërkombëtar.
Protestat në Tiranë nisën pas kundërshtimeve ndaj projekteve të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, por me kalimin e ditëve ato janë zgjeruar në kërkesa më të gjera për transparencë, llogaridhënie institucionale dhe kundërshtim të politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Çështja e projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa grupe ambientaliste dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës në procedurat e zhvillimit të projektit.
Rama për protestat: Nga Kosova e Maqedonia po vijnë për ta ‘shpëtuar’ Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ekziston një përzierje e hatashme ndërkombëtare në protestat kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se qeveria nuk mund të drejtohet nga zhurma apo presioni i rrjeteve sociale.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të shtunën, Rama ka thënë se ekziston një “përzierje e hatashme ndërkombëtare”, ku sipas tij ka njerëz që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia për ta “shpëtuar” Shqipërinë në emër të shqiptarëve.
““Ka një përzierje të hatashme ndërkombëtare, vijnë njerëz nga Kosova, Maqedonia për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve, ndërkohë njerëzit që flasin me arsye e kuptojnë shumë mirë që këtu ka diçka që nuk shkon”, u shpreh Rama, transmeton “Euronews”.
Megjithatë, ai theksoi se qeveria duhet të dëgjojë kritikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por pa lejuar që vendimmarrja të diktohet nga zhurma publike.
Sipas tij, një qeveri nuk ka të drejtë t’i mbyllë veshët ndaj kritikës dhe zemërimit të qytetarëve, por as nuk duhet të heqë dorë nga drejtimi i saj përballë presioneve të momentit.
“Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i nënshtrohet zhurmës dhe sa më shumë zhurmë, aq më shumë forcohet identiteti i tij dhe destinacioni”, deklaroi ai.
Rama shtoi se ndërtimi i shtetit nuk mund të varet nga “era që fryn” apo nga valët e opinionit në rrjetet sociale, duke nënvizuar se qeverisja duhet të ruajë kursin e saj edhe në kohë debatesh të forta publike.
Ai tha gjithashtu se nuk beson që vendimet politike duhet të udhëhiqen nga algoritmet apo reagimet e momentit në internet.
“Kurrë nuk besoj se mund të drejtohem prej zhurmës dhe dallgëve që mund të ngrihen aty”, u shpreh kryeministri.
Dje ishte dita e 20-të e protestave kundër projektit në Zvërnec, ku po bëhet thirrje për dorëheqjen e Ramës.